
Ajo që fillimisht u njoftua si një “evakuim i rregullt” i ambasadës amerikane në Bagdad, me kalimin e orëve u zgjerua edhe në misionet e tjera diplomatike në rajon, përfshirë ambasadat në Kuvajt dhe Bahrein, prej të cilave është lejuar largimi i personelit jo-thelbësor.
Pentagoni gjithashtu ka autorizuar largimin vullnetar të familjarëve të ushtarëve amerikanë nga Lindja e Mesme.
Pas këtij tërheqjeje të pjesshme, mbeten pikëpyetje lidhur me arsyet e vërteta të vendimit të Shtëpisë së Bardhë., sipas Corriere.it.
“Rreziqet për sigurinë janë rritur”, thanë disa burime për agjencinë Reuters, pa dhënë detaje mbi burimin apo drejtimin e këtyre kërcënimeve. Megjithatë, vëmendja e analistëve është përqendruar tek Irani, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili shprehu gjithnjë e më pak besim se Teherani do të pranojë të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit.
Tensionet u rritën më tej pas paralajmërimeve të ministrit iranian të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, i cili deklaroi se në rast dështimi të negociatave dhe një sulmi të mundshëm, Irani do të godasë bazat amerikane në rajon. Në të njëjtën kohë, autoritetet britanike kanë lëshuar një paralajmërim për anijet tregtare që lundrojnë në ujërat e ngushticat përreth zonës së tensionuar.
Në sfond, por me peshë për Izraelin, qëndrojnë bisedimet mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump. Në një bisedë telefonike 40-minutëshe të zhvilluar të hënën, Netanyahu ka tentuar të bindë presidentin amerikan për domosdoshmërinë e një goditjeje ndaj objekteve bërthamore iraniane. Kjo ka shtuar dyshimet se tërheqja e koordinuar nga Uashingtoni mund të lidhet me përgatitjen e mundshme të një sulmi izraelit me miratimin e SHBA-së.
Ndërkohë, vetë Netanyahu ka kaluar ditën në parlamentin izraelit, ku përballet me një krizë të brendshme politike që mund të përfundojë 16 vitet e tij në pushtet — vetëm 21 muaj prej të cilave ai ka qenë në opozitë.
Në anën tjetër, përmes rrjeteve sociale, misioni diplomatik i Iranit në Kombet e Bashkuara ka akuzuar SHBA-në për nxitje të paqëndrueshmërisë në rajon, duke armatosur agresorët dhe duke lejuar krimet izraelite. “Nuk kanë asnjë besueshmëri për të predikuar paqe apo mos-përhapje të armëve bërthamore,” thuhet në deklaratë.
Megjithatë, presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, në një deklaratë publike sqaroi se “nuk duam të prodhojmë armë bërthamore”. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka paralajmëruar se Irani ka sasi të mjaftueshme uraniumi të pasuruar për të ndërtuar deri në dhjetë koka bërthamore, por ende i duhet kohë për t’i përpunuar ato në armë funksionale.
Netanyahu e konsideron ndalimin e programit bërthamor iranian si një mision ekzistencial për shtetin izraelit. Ai njësoj e ka cilësuar edhe luftën në Gaza, e cila nisi pas sulmeve masive të Hamasit më 7 tetor 2023 në fshatra dhe qytete izraelite. Forcat izraelite kanë gjetur trupat e dy pengjeve të vrarë, ndërkohë që numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në mbi 55 mijë.
Pamje të reja të publikuara nga qendrat amerikane të shpërndarjes së ushqimit tregojnë turma njerëzish që shtyhen pas barrikadave të rërës dhe hekurave, duke pritur sinjalin për të vrapuar me thasë plastike në dorë drejt ndihmave. Burime palestineze raportojnë se rreth 60 persona u vranë pranë një pike shpërndarjeje. Ushtria izraelite tha se ushtarët hapën zjarr sepse u ndjenë të kërcënuar.
Top Channel