
Paqja dhe stabiliteti rajonal ishin në fokus të Samitit “Ukrainë–Evropa Juglindore”, ku Shqipëria përfaqësohej nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Në fjalën e saj, Spiropali ripërsëriti mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, duke thënë se lufta e tyre është edhe lufta jonë.
“Sot dua të përcjell jo vetëm fjalë solidariteti, por një premtim: Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës – sot, nesër dhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Lufta juaj është edhe lufta jonë. Shpresa juaj është edhe shpresa jonë. E ardhmja juaj është e ardhmja jonë e përbashkët. Uroj të kthehet së shpejti paqja, drejtësia dhe liria në Ukrainë!”.
Gjatë fjalimit në samit, Spiropali vlerësoi qendrën e Ukrainës përballë mizorive ruse, duke thënë se frymëzoi botën, ndërsa shtoi se Moska duhet të japë llogari.
“Pavarësisht vuajtjeve të mëdha dhe shkatërrimit të pamasë, populli i Ukrainës ka qëndruar me një guxim të pashoq. Qëndresa e tyre përballë mizorive ka frymëzuar botën. Ne nuk mund ta bëjmë një sy qorr përpara këtyre krimeve. Rusia duhet të japë llogari për çdo predhë, për çdo krim lufte, për çdo jetë të humbur. Heshtja është bashkëfajësi, dhe bota nuk mund t’ia lejojë vetes të rrijë e heshtur”.
Ky është Samiti i Katërt “Evropë Juglindore-Ukrainë”, ku i pranishëm ishte Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Presidenti i Serbisë, Vucic, kryeministri i Greqisë, Mitsotakis, si dhe krerët e shteteve të tjera të rajonit.
Top Channel