Referendumet për shtetësinë dhe të drejtat e punës në Itali të pavlefshme, për shkak të pjesëmarrjes së ulët, Meloni: Italianët mbështetën rënien e opozitës

09/06/2025 18:27

Pjesëmarrja e qytetarëve italianë që zgjodhën të shprehnin vullnetin e tyre në pesë referendumet që kishin të bënin me të drejtat e punës dhe dhënien e shtetësisë shtetasve të huaj, sipas të dhënave të deritanishme, nuk kaloi 30%.

Si pasojë, rezultati i tyre është i pavlefshëm, sepse ligji përkatës përcakton që, që çdo referendum të konsiderohet i vlefshëm, duhet të votojnë të paktën 50% + 1 e atyre që kanë të drejtë vote.

Në një postim në rrjetet sociale, partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni theksoi: Qëllimi i vetëm i vërtetë i këtij referendumi ishte rrëzimi i qeverisë. Megjithatë, në fund, italianët votuan për rrëzimin e opozitës. Kujtohet se partitë e koalicionit qeverisës konservator që qeveris vendin kishin mbështetur abstenimin, ndërsa forcat më të mëdha të opozitës (Partia Demokratike, Lëvizja Pesë Yje dhe e Majta Italiane me të Gjelbrit) mbështetën një votë “po” në referendume.

Ministri i Jashtëm italian dhe kreu i partisë Forza Italia, Antonio Tajani, deklaroi në të njëjtën kohë se shumica qeveritare do të merrte iniciativën për të rritur numrin e nënshkrimeve të nevojshme për të kërkuar organizimin e një referendumi. Deri më sot, numri përkatës është 500,000 nënshkrime.

Radikalët italianë dhe partia Më Shumë Evropë, të cilat mbështetën referendumin për dhënien e shtetësisë, theksuan se “fitoi abstenimi i organizuar, i cili u favorizua nga mungesa e informacionit të mjaftueshëm dhe nga një formë spontane e abstenimit”.

Lidhur me katër referendumet për forcimin e të drejtave të punës, qytetarët që shkuan në votime votuan “po” në një përqindje që varionte nga 85% në 88%. Për referendumin që kërkonte uljen e kohës së nevojshme, nga dhjetë në pesë vjet, për t’u dhënë shtetësinë italiane qytetarëve të huaj që jetojnë përgjithmonë në vend, 62% e qytetarëve që shkuan në votime votuan pro.

Top Channel