Kanadaja rrit shpenzimet në mbrojtje, akordon 2% të buxhetit të vitit 2025

09/06/2025 19:00

Kanadaja do të shpenzojë 2% të buxhetit të saj për mbrojtje këtë vit për të përmbushur objektivin e NATO-s gjysmë dekade përpara afatit për shkak të kërcënimeve në rritje, tha sot Kryeministri Mark Carney.

“Besimi i kahershëm se vendndodhja gjeografike e Kanadasë do të na mbronte është gjithnjë e më i vjetëruar”, tha kryeministri, i cili njoftoi gjithashtu se Kanadaja dëshiron të zvogëlojë varësinë e saj ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas Mark Carney, kërcënimet që burojnë nga një botë më e rrezikshme dhe e përçarë po e trondisin rendin ndërkombëtar.

Duke folur për “zgjimin e papritur” të Kanadasë, kryeministri përmendi kërcënimet nga Rusia dhe Kina, ndër të tjera, duke shtuar se qëndrimi i ri amerikan në skenën ndërkombëtare ka gjithashtu pasoja serioze.

“Sot, Shtetet e Bashkuara po fillojnë të përfitojnë nga hegjemonia e tyre, po kërkojnë tarifa për aksesin në tregjet e tyre dhe po zvogëlojnë kontributet e tyre në sigurinë tonë kolektive”, shpjegoi Mark Carney.

Në këtë kontekst, dhe për shkak se pajisjet ushtarake kanadeze po “plaken”, Ottawa synon të investojë në nëndetëse, anije, radarë, avionë pa pilot dhe sensorë të rinj në Arktik.

Kryeministri kanadez përsëriti se sovraniteti i Arktikut është një përparësi dhe se Kanadaja po përpiqet të forcojë sigurinë transatlantike, veçanërisht përmes pjesëmarrjes së saj në “ReArm Europe”, një iniciativë që synon forcimin e aftësive mbrojtëse evropiane dhe industrisë mbrojtëse evropiane.

Sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të bëjë thirrje për një rritje prej 400% të aftësive të Aleancës për mbrojtje ajrore dhe raketore gjatë një samiti në Londër, kryesisht për t’u përballur me një Rusi që “mbjell terror nga qielli”.

Top Channel