Të shoqëruar nën masa të forta sigurie, ekipi serb largohet nga Tirana drejt Beogradit

08/06/2025 10:23

Paraditen e kësaj të diele, ekipi i Serbisë është shoqëruar nga një forcë e shtuar e Policisë së Shtetit drejt aeroportit, për t’u kthyer në vendin e tyre.

Policia, ndërkohë, ka publikuar disa nga pamjet e masave të sigurisë që ndërmorri para, gjatë dhe pas ndeshjes. Asnjë incident nuk ndodhi që të dëmtonte ekipin tonë kombëtar dhe Shqipërinë si organizatore e këtij takimi.

Përveç sigurisë së ekipit kundërshtar, policia ka zhvilluar kontrolle shumë të imtësishme në të gjitha ambientet e stadiumit “Arena Kombëtare”, duke përdorur edhe qentë që arrijnë të dallojnë eksplozivët, si dhe ndaj tifozëve, të cilëve u ndalua mbajtja e materialeve të ndaluara, metalike, flakadanëve, mjeteve shpërthyese dhe materialeve të ndaluara propagandistike.

I gjithë stadiumi ishte në një rrethim dhe çdo person kaloi kontrolle fizike në trup.

Në këtë operacion janë angazhuar mijëra forca policore, që nga Policia e Rendit, ajo Rrugore, deri te repartet speciale, në bashkëpunim me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake të Tiranës, FSHF-në, UEFA-n, stafin e skuadrës serbe dhe agjencitë ligjzbatuese.

Top Channel