
Afërsisht 70 mijë fermerë kanë aplikuar në thirrjen e Skemës Kombëtare 2025, ku pjesa më e madhe e tyre kërkon të subvencionohet për naftën falas.
75.7% e fermerëve shqiptarë, për të ulur kostot e prodhimit, kërkojnë që tokën ta punojnë me naftë pa taksa.
Ardita Kuçi, drejtoresha e përgjithshme e AZHBR thotë: “Masa me më shumë aplikime, sikundër edhe vitin e shkuar, është masa për mbështetje me naftë për punimet me mekanizëm në bujqësi, e cila numëron rreth 53.000 aplikime. Kjo tregon se fermerët e konsiderojnë mbështetjen dhe lehtësimin e kostove të prodhimeve bujqësore si një mbështetje të domosdoshme për të rritur produktivitetin në fermë.”
Për herë të parë, Ministria e Bujqësisë në sektorin e blegtorisë do të japë para edhe për viçat. Kjo risi në skemën kombëtare ka rritur edhe numrin e bujqve që merren me mbarështimin e gjësë së gjallë.
“Sa i përket blegtorisë, ka pasur një interes të shtuar, duke qenë se risitë këtë vit kanë qenë edhe mbështetja për viçat, përveç gjedhit. Ndërkohë që vitin e shkuar kemi pasur 9.200 aplikime, këtë vit kemi 10.100 aplikime”, shton Kuçi
4.4 miliardë lekë janë në dispozicion të 70 mijë fermerëve, dhe nëse këto para janë të pamjaftueshme, Ministria e Bujqësisë do të shtojë fondin për të mbështetur të gjithë fermerët që janë shpallur fitues. Tashmë që aplikimet kanë përfunduar, inspektorët e agropikave do të dalin në terren për të bërë verifikimet.
“Brenda 20 ditësh do të publikohet në faqen e AZHBR-së lista e përfituesve. Nga kjo listë, të gjithë fermerët që kanë mungesë dokumentacioni kanë në dispozicion një afat 30-ditor për të plotësuar dokumentet, të cilat do t’i dorëzojnë në agropika.”
Këtë vit, një tjetër kategori fermerësh që do të mbështeten janë ata që, në vend të inputeve, përdorin kontrollin biologjik. Kjo thirrje vjen edhe si direktivë nga BE, pasi përdorimi i insekteve të dobishme rrit cilësinë e produktit dhe çmimin e prodhimit shqiptar.
Top Channel