
Aktivistë dhe ish të përndjekur politikë udhëtuan këtë të shtunë drejt ish-kampit burg të Spaçit për të protestuar kundër punimeve që kanë nisur në kuadër të projektit për konservimin dhe restaurimin e këtij monumenti kulture.
“Jemi këtu sot, sepse jemi shumë të shqetësuar me mënyrën si ky burg dhe ky kamp po trajtohet. Ky është një vend ku mijëra njerëz kanë vuajtur burgun e tmerrshëm dhe të paimagjinueshëm që mund të ketë parë historia e Shqipërisë“, tha aktivisti Vison Doshmi.
Ndërhyrjet në ambientin ku bëheshin kontrollet e vizitorëve dhe në godinën e oficerëve, ish të përndjekurit që kanë vuajtur dënimin në burgun famëkeq të Spaçit, i quajnë tjetërsim dhe deformim të historisë.
“Të tjetërsosh origjinën e këtij vendi është një krim i shëmtuar, t’i heqësh njerëzve të drejtën për të kthyer kokën pas. Se nuk kanë çfarë të shohin“, tha Gjergj Lekaj.
“Nuk kemi kundërshtim të bëhen filma e dokumentarë, të bëjnë çfarë të duan, por ambienti të rrijë kështu si është“, u shpreh Nuri Stefaj.
“Kjo është në shkatërrim të kujtesës, është një falsifikim i asaj që duan të bëjnë“, u shpreh Fatos Lubonja.
“Vuajtjet e të burgosurve këtu dëgjohen! Në këto ofshama, nuk duhet të ketë sarkazëm“, shtoi Demir Pojani
Ndërkohë, në një reagim të dytë pas debateve dhe kundërshtimeve, MEKI thotë se ringritja e banjove dhe tarracës mbi to nuk është aprovuar nga IKTK dhe nuk përfshihet në projekt, ndërsa ndërhyrjet e tjera do të analizohen para se të zbatohen në terren.
“Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit. Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim”, thuhet në reagim.
Megjithatë, aktivistët theksojnë se do të vazhdojnë qëndresën dhe do të kundërshtojnë vijimin e punimeve.
Top Channel