Kapet duke transportuar pije alkoolike nga Greqia, arrestohet një 53-vjeçar, procedohen tre punonjës të doganës

07/06/2025 10:03
Foto Ilustruese

Arrestohet një 53-vjeçar, i cili u kap duke transportuar me automjet pijë alkoolike që i kishin futur kontrabandë nga Greqia.

Po ashtu janë proceduar tre punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjatë kontrollit fizik nga policia, u sekuestruan pijet alkoolike.

Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor “Drinks”, për goditjen e kontrabandës së pijeve alkoolike.

U kap në flagrancë në aksin rrugor “Kapshticë – Blilisht”, duke transportuar me automjet pije alkoolike që i kishin futur kontrabandë nga Greqia, arrestohet 1 shtetas.

Procedohen penalisht 3 punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sekuestrohen pijet alkoolike dhe automjeti.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike e financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Drinks”, për goditjen e një rasti kontrabandës me mallra që paguhet akcizë.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Kapshticë – Blilisht”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Ll.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi pijesh alkoolike, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ll., 53 vjeç banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe ” Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. P., 45 vjeç, A. G. 61 vjeç dhe R. M., 40 vjeç (doganierë), pasi dyshohet se nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallrave, sipas ligjit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel