Rusia bombardon Ukrainën me dronë dhe raketa, katër të vrarë në Kiev dhe dhjetëra të plagosur

06/06/2025 09:51

Rusia ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh me dronë dhe raketa balistike në disa pjesë të Ukrainës në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke shkaktuar të paktën katër viktima në Kiev dhe rreth 40 të plagosur në gjithë vendin.

Një korrespondent i CNN në rajonin e Kievit raportoi shpërthime të fuqishme para agimit, ndërsa pamjet treguan zjarr në ndërtesa banimi dhe ekipe zjarrfikësish në veprim. Ndërsa drita e ditës zbardhte, banorët përpiqeshin të nxirrnin sendet nga rrënojat e apartamenteve të dëmtuara, ku muret ishin rrënuar dhe xhamat e dritareve thyer. Automjetet e parkuara ishin të mbuluara me copa xhami dhe tulla.

Ukraina përballet çdo natë me sulme ajrore ruse, por autoritetet vendase kanë qenë në gatishmëri për një sulm të madh hakmarrës, të paralajmëruar nga presidenti Vladimir Putin pas një serie sulmesh të guximshme të Ukrainës në baza ajrore ruse.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi në Telegram se katër persona kishin humbur jetën, ndërkohë që vijonin operacionet e kërkim-shpëtimit. Shërbimet emergjente të Ukrainës njoftuan gjithashtu për vdekjen e tre zjarrfikësve në Kiev, megjithëse nuk është e qartë nëse ata përfshiheshin në bilancin e dhënë nga Klitschko.

Sulmet goditën gjithashtu qytetin e Çernihivit, pranë kufirit me Bjellorusinë, ku u raportuan 14 shpërthime nga dronë dhe raketa, përfshirë raketat Iskander-M dhe raketa lundrimi. Në qytetin veriperëndimor të Lutskut, afër kufirit me Poloninë, pesë persona mbetën të plagosur nga një tjetër sulm, njoftoi kryebashkiaku Ihor Polishchuk. Pamjet e verifikuara nga CNN treguan katër raketa që godasin qytetin, duke shkaktuar shpërthime të mëdha.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se numri i përgjithshëm i të plagosurve në gjithë vendin ishte rreth 40. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, njoftoi se gjatë natës Rusia kishte lëshuar të paktën 38 raketa lundrimi, 6 raketa balistike dhe 407 dronë.

Ndërkohë, një dron ukrainas goditi një objekt industrial në qytetin jugor rus të Engelsit, sipas guvernatorit lokal. Pamje të verifikuara tregojnë flakë dhe tym që ngrihet nga vendi i sulmit, rreth 460 km nga kufiri me Ukrainën. Në janar, një tjetër sulm ukrainas me dron kishte goditur një depo nafte të lidhur me një bazë ajrore ushtarake në të njëjtin qytet.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se kishte rrëzuar 174 dronë ukrainas dhe tre raketa të drejtuara Neptune-MD mbi Detin e Zi nga mbrëmja e së enjtes deri në mëngjesin e së premtes.

Top Channel