
Fiks Fare denoncoi disa veprime dhe vendime të Këshillit Bashkiak të Sarandës, i cili ka “injoruar” Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin e një këshilltareje.
Pavarësisht se KQZ-ja i dërgoi shkresa se puna e këshilltares Edlira Gjidede, edukatore në një kopësht shtetëror në Sarandë, nuk kishte papajtueshmëri në kandidim dhe zgjedhje, sërish ky Këshill, 1 vit e gjysmë pas emërimit, e shkarkoi për “konflikt interesi”.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua ish-këshilltarja Edlira Gjidede, e cila tha se është zgjedhur këshilltare në Këshillin Bashkiak Sarandë në vitin 2023, në zgjedhjet lokale për PDIU. Sipas saj, në mbledhjen e datë 18 mars 2025 është marrë vendimi për shkarkimin te saj, me argumentin se pozicioni si punonjëse në sektorin e arsimit, i cili varet nga administrimi i bashkisë, krijon një situatë papajtueshmërie me mandatin e këshilltares.
“Ky vendim është bazuar në interpretimin e Komisionit të Mandateve dhe ka marrë mbështetjen e Kryetarit të Këshillit. Institucionet kompetente për të interpretuar ligjin, kanë nisur përgjigje zyrtare si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), duke sqaruar që nuk ka papajtueshmëri dhe as konflikt interesi” thotë Edlira.
Sipas saj, punonjësit arsimorë dhe ata akademikë nuk kanë pengesa ligjore për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në organet vendore. Punonjësit arsimor nuk janë nëpunës bashkiak, kanë status tjetër të rregulluar me VKM dhe ligj. “Pavarësisht këtij interpretimi me shkresa zyrtare, Këshilli Bashkiak ka vendosur të shkel ligjin dhe të injoroj këto institucione dhe ka miratuar shkarkimin tim. Këtë vendim e kam denoncuar edhe në Prokurorinë e Sarandës” thotë Edlira.
Edlira ka dokumente nga KQZ dhe ILDKPI se posti i punës së saj si edukatore s’ka konflikt! Dhe, pas intervistës dhe dokumenteve, gazetarët e Fiksit shkojnë në Këshillin Bashkiak për të pyetur kryetarin Asaf Strofa. Vetë Asafi thotë dhe lexon një dokument nga KQZ-ja me të tillë përmbajtje, pra posti i punës s’ka konflikt. Më tej pohon se ka edhe një shkresë të Prefektit që thotë se ka konflikt!
Fiksi e pyet se në Këshill është edhe një mësuese. Ai shton se duhet ta verifikojë mandatin komisioni i mandateve dhe më pas t’u drejtohen organeve të tjera. Shton se për rastin e Edlirës ka konflikt se është edukatore.
Fiksi e pyeti disa herë se përse ka dy standarde dhe përse vepron vetëm për një rast. Ai citon rregulloren e Këshillit dhe thotë se nuk vendos Kryetari i Këshillit, por ka komisione dhe prefekti që deklaron diçka të tillë.
Top Channel