E bujshme! I solli trofeun e parë pas 17 vitesh, klubi i Londrës shkarkon trajnerin që u shpall kampion Europe

06/06/2025 18:38

Ange Postecoglou është shkarkuar nga drejtimi i Tottenham Hotspur, vetëm pak javë pasi i dha klubit trofeun e parë pas 17 vitesh thatësie.

Spurs triumfuan 1-0 ndaj Manchester United në finalen e Europa League në Bilbao, duke ndezur festime të zjarrta si në “San Mames” ashtu edhe në Londër.

Pavarësisht suksesit evropian, drejtuesit e Tottenham kanë vendosur t’i japin fund aventurës së trajnerit australian për shkak të formës dëshpëruese në Premier League. Spurs e mbyllën sezonin në vendin e 17-të me vetëm 38 pikë – renditja dhe pikët më të dobëta në historinë e tyre në epokën moderne.

Pas humbjes 4-1 në shtëpi ndaj Brighton në ndeshjen e fundit të sezonit, presioni mbi Postecoglou u bë i padurueshëm për presidentin Daniel Levy, i cili vendosi të ndërhyjë. Kjo, edhe pse 59-vjeçari kishte deklaruar pas finales së Europa League se “puna e tij nuk ishte ende e përfunduar” dhe se donte të vazhdonte në krye të skuadrës.

Në dy vite në krye të Tottenhamit, Postecoglou regjistroi 47 fitore në 101 ndeshje – një përqindje suksesi prej 47%.

Sipas raportimeve të “SunSport”, italiani Fabio Paratici pritet të rikthehet në klub si drejtor menaxhues dhe do të ketë rol kyç në përzgjedhjen e trajnerit të ardhshëm. Ish-drejtuesi i Juventusit ishte larguar në prill 2023 pas një ndalimi ndërkombëtar nga FIFA për shkelje financiare.

Një nga favoritët e Paraticit është Francesco Farioli, ish-trajneri i Ajaxit. Emra të tjerë që përfliten për pankinën londineze janë Marco Silva, Andoni Iraola dhe Oliver Glasner.

Ange Postecoglou u emërua në verën e vitit 2023, pas një periudhe suksesi te Celtic, ku fitoi dy herë radhazi titullin në Skoci. Fillimi i tij te Spurs u prit me entuziazëm të madh dhe skuadra regjistroi startin më të mirë në histori në një sezon të Premier League.

Pas periudhave të errëta nën drejtimin e Mourinho, Nuno Espirito Santo dhe Conte, tifozët e Tottenham shpresuan se më në fund kishin gjetur drejtuesin e duhur. Por fundi i sezonit e shndërroi këtë histori në një tjetër dështim për klubin londinez.

Top Channel