
Portugalia është finalistja e parë e UEFA Nations League pas një përmbysjeje të madhe ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalen e zhvilluar në kuadër të Ligës A.
Ndeshja, e luajtur në një atmosferë të zjarrtë, përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të luzitanëve.
Gjermania e nisi më mirë pjesën e dytë, kur Florian Wirtz kaloi “Pancerat” në epërsi në minutën e 48-të pas një asistimi nga Joshua Kimmich. Megjithatë, Portugalia reagoi fuqishëm me dy gola të shpejtë: fillimisht ishte Francisco Conceição që barazoi në minutën e 63-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Cristiano Ronaldo shënoi golin vendimtar të fitores në minutën e 68-të, duke i dhënë ekipit të tij biletën për në finale.
Pavarësisht disa tentativave nga Gjermania në minutat e fundit dhe zëvendësimeve të shumta për të ndryshuar rrjedhën e lojës, Portugalia mbrojti epërsinë dhe doli fituese.
Në finalen e madhe të Nations League, Portugalia do të përballet me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale mes Francës dhe Spanjës – një superduel që pritet me shumë interes.
Top Channel