
Pak ditë nga ndeshja e shumëpritur dhe shumëpërfolur e 7 qershorit ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare të Tiranës, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një intervistë për Top Channel tregon gjithçka se si po përgatitet kjo përballje kaq e rëndësishme në aspektin sportiv për objektivin e kuqezinjve, që është kualifikimi në Botërorin e vitit 2026-s dhe jo vetëm.
“Detyra jonë është ta organizojmë mirë ta luajmë mirë dhe të marrim 3 pikët. Këtë I kam thënë edhe drejtuesve të Federatës të Serbisë që ne do ta përgatisim ndeshjen si të tillë dhe ata do të vijnë këtu si një kundërshtar sportive dhe asgjë më tepër. Kam besim që do të ketë një atmosferë sportive, por padyshim të luftuar sportivisht“, u shpreh Duka.
Megjithëse të fokusuar tek objektivi sportive e gjithë kjo aureolë që e rrethon këtë pragndeshje edhe për pjesën jo sportive, sigurisht që mund ti ndikojë lojtarët.
“Jemi të gjithë qenie njerëzore dhe futbollistët gjithashtu që ndikohemi nga ambienti. Do të përpiqemi maksimalisht që ta ndajmë pjesën sportive nga të gjitha emocionet jo sportive. Ajo që i them futbollistëve apo çdo njeriu është që në këtë situatë puna jote është që të bësh mirë këtë që të kanë kërkuar dhe që të kanë ngarkuar, futbolli. Nëse ne fitojmë një ndeshje futbolli, kushdo le ta shohë si të dojë, por duhet ta fitosh një herë, pasi ta fitojmë është një lloj abstraksioni që kushdo e sheh si të dojë, por e mira është që ta fitojmë“, tha Presidenti i FSHF-së.
A është kjo si një finale për ne, për objektivin tonë që është vendi i dytë në grup?
“Një rezultat pozitiv, 3 pikë në këtë ndeshje, vërtetë na japin shumë arsye dhe shpresë për ta vazhduar dhe synuar vendin e dytë, nëse ndodh ndryshe gjërat vështirësohen. Por kjo nuk do të thoë që edhe nëse ne fitojmë ndeshjen e sigurojmë vendin e dytë“, tregoi ai.
Si mendoni që ne mund ta fitojmë këtë ndeshje përballë Serbisë?
“Nuk mund të matemi thjeshtë me kualitetet sportive individuale, Serbia në përbërjen e vet ka kualitete shumë të mira, që luajnë në ekipe të forta, të vlerësuar ekonomikisht në merkaton e futbollistëve me shifra të larta, por për t’i bashkuar bashkë dhe për ti bërë skuadër unë mendoj se ne kemi ekip më të mirë“, u përgjigj Duka.
Në një ndeshje me një interesim të tillë, arsyeja që ju ka bërë të ndryshoni edhe numrin e telefonit, janë padyshim biletat. Përse pikërisht në këtë ndeshje u përdor metoda e një shorti kompjuterik?
“Kur kërkesa është 20 fish apo 30 fish më e madhe, padyshim që çdo gjë do të ishte e dyshimtë, por unë ju garantoj që ai është një short i rastësishëm që e bën vetë sistemi dhe ky short dhe sistem është i njëjti që përdor UEFA për ndeshjet e Europianit apo të Champions League për biletat që shiten në shitje të lirë. Nëse do t’i nxirnim online pa një short, mund të ishte akoma edhe më e kritikueshme, apo njerëzit do t’i bënte të rrinin përpara kompjuterit me orë të tëra, ndërsa kështu e kemi konsideruar një gjë më të përshtatshme dhe më të mirë për këtë ndeshje”.
Top Channel