Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 57-vjeçarit Pjetër Kaza një ditë më parë në Tale të Lezhës.

Shtetasi me iniciale G.A. ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit Kazës në momentin që ai ka zbritur nga makina për të hapur portën e banesës e për të hyrë në banesë. 57-vjeçari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, policia njofton se për shkak të hetimeve nuk bën me dije të dhëna të tjera.

Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, ishte kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate.

Dyshohet se vrasja e tij lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.

Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit. Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.

Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.

Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel