
Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu, ka paraqitur sot kërkesë me shkrim drejtuar KAS, ku kërkon përjashtimin e anëtarit Ilir Rusmaili.
Në seancën e shkuar PD tha se Rusmaili nuk është i paanshëm në shqyrtimin e kërkesave të PD në lidhje me ankimimet për rezultatet e zgjedhjeve në disa qarqe, pasi është këshilltar i Presidentit Bajram Begaj.
“Duam, proces të rregullt ligjor, që është paanshmëria”, tha Logu.
“Po ashtu, anëtari Rusmali, në pamundësi për të kontrolluar shpërthimet emocionale dhe bindjet e tij të brendshme ndaj pales ankuese, Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, degradon në sharje dhe ofendime personale ndaj përfaqësuesve ligjor të subjektit zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Sjellje, veprime dhe shprehje, të cilat jo vetëm cënojnë solemnitetin e shqyrtimit administrativ, por dëshmojnë për probleme të thella karakteriale, siç mund të jetë mllefi i akumuluar ndër vite i këtij anëtari ndaj Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, që e bën të humbasë objektivitetin dhe të mos ruajë etikën minimale të komunikimit njerëzor/institucional, që duhet të karakterizojë anëtarët e një trupe kolegjiale të një organi publik”, thuhet në shkresën zyrtare drejtuar KAS.
Por KAS rrëzoi kërkesën.
Top Channel