Nis sezoni i bostanit, babë e bir në Frakull e kultivojnë prej 25 vitesh: Jemi të lidhur me tokën tonë

02/06/2025 15:30

Në njësinë administrative Frakull, këtë sezon janë përgjysmuar sipërfaqet e mbjella me bostan.

Në krahasim me vitin e kaluar, ku u kultivuan mbi 220 hektarë, këtë vit janë mbjellë vetëm rreth 120 hektarë. Megjithatë, ka ende fermerë që nuk e kanë braktisur këtë kulturë, pavarësisht vështirësive me tregun dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Safet dhe Ermal Troka baba e bir, prej më shumë se 25 vitesh kultivojnë bostan në tokat e tyre. Këtë sezon ata kanë mbjellë mbi 30 dynym në sera dhe në fushë, duke synuar një prodhim prej 280 tonësh, i cili është i destinuar për eksport.

“Ne si familje kemi 23 vite që mbjellim sharqi. Këtë vit kam mbjellë 15 dynym dhe po përgatis edhe 15 të tjerë. Edhe pse kemi pasur probleme me çmimet  para disa vitesh e kemi shitur dhe me 80 lekë  shpresojmë që këtë vit tregu të jetë më i mirë. Në sera kam rreth 15 ton sharqi, ndërsa në fushë edhe më shumë. Tani çmimi është 600-700 lekë për frut, një çmim i kënaqshëm për ne”, tha Ermal Troka.

Luhatjet e çmimeve nuk janë i vetmi problem për fermerët. Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër sfidë serioze, që po ndikon në reduktimin e të mbjellave.

“Kemi problem me krahun e punës, nuk ka punëtorë. Edhe sektori i luleshtrydhes vuan për këtë. Bostani, pavarësisht çmimit, shitet. Para dy vitesh e kam shitur me 300 lekë, vitin e kaluar edhe me 30 lekë. Po të ecë me çmim, është mirë. Unë prodhoj rreth 100 kuintal për dynym, dhe gjithçka shkon për eksport”, u shpreh Safet Troka.

Pavarësisht sfidave, fermerët në Frakull nuk dorëzohen. Me punë, përkushtim dhe shpresë për një treg më të qëndrueshëm, ata vazhdojnë të kultivojnë një ndër kulturat më tradicionale të zonës: bostanin.

Top Channel