
Paulo Coelho, një ndër shkrimtarët më të dashur dhe të lexuar në botë, njihet për romanet frymëzuese që kanë prekur miliona lexues, por jeta e tij personale ka qenë po aq e jashtëzakonshme sa edhe veprat që ka shkruar.
I lindur më 24 gusht 1947 në Rio de Zhaneiro, në një familje katolike, Coelho u rrit si një shpirt rebel ndaj fesë dhe sistemit tradicional.
Që në adoleshencë, ai u përball me vështirësi të mëdha: në moshën 17-vjeçare, prindërit e shtruan për tre vite në një spital psikiatrik, ku u diagnostikua me skizofreni. Megjithatë, ai arratiset disa herë nga spitali dhe vendos të ndjekë pasionin e tij për artin dhe shkrimin.
Pas daljes përfundimtare nga spitali, ai u përfshi në një lëvizje teatrore që kombinonte artin me protestën sociale.
Në vitet ’70, themeloi një “Shoqëri Alternative” me filozofinë “Bëj çfarë të duash – ky është i gjithë ligji”, e frymëzuar nga Aleister Crowley.
Aktivitetet e tij u panë si kërcënim nga autoritetet, dhe Coelho përfundoi në burg, por u lirua pasi u shpall i sëmurë mendor.
Pavarësisht paragjykimeve dhe sfidave, ai arriti të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme.
Sot, është autor i mbi 30 librave të përkthyer në më shumë se 80 gjuhë. Ndër veprat më të njohura përfshihen “Alkimisti”, “Njëmbëdhjetë minuta”, “Veronika vendos të vdesë”, “Zahiri” dhe “Shkelja e kurorës”.
Për kontributin e tij letrar, Coelho ka fituar mbi 100 çmime ndërkombëtare, përfshirë “Kristal Award” nga Forumi Ekonomik Botëror, titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit” nga Franca, si dhe “Medaljen e Artë të Galicisë”. Që prej vitit 2002, ai është anëtar i Akademisë Braziliane të Letrave dhe në vitin 2007, u shpall “Lajmëtar i Paqes” nga Kombet e Bashkuara.
Në një intervistë të fundit, Coelho shpjegon frymëzimin pas librit të tij “Shigjetari”, duke theksuar se e shkroi për të reflektuar mbi mësimet e jetës dhe për t’i ndihmuar të tjerët të gjejnë drejtimin e tyre.
Ndonjëherë, kur ti mëson diçka, duhet të ulesh dhe të kuptosh se çfarë ke mësuar
Jeta e Paulo Coelhos është dëshmi se edhe në rrugë të errëta, mund të gjendet drita – dhe ai e ka ndarë këtë dritë me botën përmes fjalëve të tij./ TAR
Top Channel