
Nga Artur Zheji
Një tufë e madhe të paaftësh dhe një tufë egoistësh të përçarë, kënaqen tek sodisin 80 vjeçarin “bio”, Sali Berishën që del elegant dhe arësyeton urtësisht, ekran më ekran dhe i “çjerr” maskën Edi Ramës, për “farsën” zgjedhore të 11 Majit 2025.
Dhe mbas shpatullave të Saliut, këta të paaftë, të shumtë në të vërtetë, fshihen e tkurren dhe ndërkohë mprehin thikat e tyre kundër njeri tjetrit: gjithmonë në emër të Doktorit dhe të pastërtisë opozitare. Pamje e dhimbshme e katandisjes opozitare në këtë verë që po vonon të mbërrijë. Duhet më shumë dinjitet dreqi e mori, duhet t’i thonë në sheshin e mejdanit ato që pëshpërisin tërë ditën kafeneve.
Opozita humbi thellë për të paktën tre arësye madhore, arsye që janë krejt para syve të të gjithëve, që kanë sy për të parë dhe pak tru për të analizuar çfarë ndodhi.
Arësyeja e Parë. Me presion, me joshje apo me dredhi, Sali Berisha e mori përsëri Partinë Demokratike. Të përçarë e të coptuar, të dreqosur e të mallkuar nga sharjet dhe akuzat trasversale të të gjithëve kundër të gjithëve, që gjenin tradhëtarë e të shitur te Rama, në fizionominë dhe politikëbërjen e çdo disidenti antiBerisha. Shumë demokratë “historikë” ishin gati të “shqyenin” politikisht njeri tjetrin më shumë se kundërshtarin e qetë dhe me rrënjë të ngulura thellë në territor. Berisha bëri çfarë mundi e aq sa mundi me stilin e tij të sprovuar, por dhe shumë të vjetëruar njëkohësisht.
Por humbja e zgjedhjeve, përsëri nuk ishte faji i tij, si edhe nuk ishte as faji dhe as “tradhëtia” e Lulzim Bashës, 4 vite më parë. Partia Demokratike nuk e përsërit dot fitoren e vitit 2005, pa përçarje apo pa tradhëti të brendëshme të së Majtës.
Arsyeja e Dytë. Rama nuk lejoi faktorë të brendshëm të së Majtës apo PS, që të ngrenin krye, ndonëse nuk janë pak ata, që kujisin nga shtypja që ushtron personaliteti gjithë e më i madh, i shefit të gjatë. Çuditërisht edhe Ben Ahmetaj, s’dihet se si ndodhi, respektoi një “heshtje parazgjedhore” dy-tre mujore para 11 Majit.
Të tjerët, nëse kishin ndonjë gjë për të thënë, domethënë ndonjë mosdakortësi ndaj Ramës dhe vijës së tij të qasjes, u janë zbrazur trimërisht grave në shtrat, nëse ishin burra, ndërsa gratë politikane e kanë artikuluar “disidencën” e tyre, maksimumi te parukierja e besuar.
Pra, megjithë Lalin, Erion Veliajn në burg, Partia Socialiste, fitoi përsëri, madje më thellë dhe në mënyrë më metodike.
Duke forcuar bindjen e dikurshme të veteranëve të partisë, se kur themi Partia, nënkuptojmë Rama dhe kur themi Rama, nënkuptojmë Partia.
Arsyeja e Tretë. Partitë e reja, kandidate për të marrë stafetën politike apo për të kryer rotacion politik në Shqipëri, u shfaqën të sëmura rëndë edhe nëpër ekrane.
U shfaqën të rinj, por të ligështuar nga sëmundja e vjetër shqiptare politike e përçarjes, e vetëpëlqimit dhe e urrjetjes personale e politike për njeri tjetrin. Të paaftë të krijojnë një Front politik, me idenë e krijimit të një Poli të Tretë.
Dhe rezultuan ca partiza thërrime, që çertifikojnë gjithmonë e më shumë, demokraticitetin e pretenduar zgjedhor nga shumica qeverisëse. Duke u shndërruar nga kundërshtarë të Partisë Socialiste, në aleatë të Imazhit të saj ndërkombëtar.
Dhe bashkohen të gjithë në korin: Se fajin e ka Berisha!
I cili sëpaku, çapitet me dinjitet ekran më ekran dhe i palodhshëm “demaskon” farsën zgjedhore dhe mbron “fitoren e munguar” apo “fitoren e vjedhur”, e të tjera e të tjera…
E dhimbshme dhe qesharake. Ndërsa këta të “rinjtë” e mplakur befas, se ku janë fshehur këto kohë dhe nuk dalin më me megafon rrugëve.
Po pse?
Ah, po, erdhi Vera, duhet me ju turr plazheve dhe udhëtimeve!
Bravo Çuna! Jeni Njisha! Një herë jeton robi!
Top Channel