Nga Luiza Gega te Lara Colturi, Veliaj: Krenar për kampionët që valëvitën flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare

29/05/2025 17:07

Sportistët e mbështetur nga Bashkia e Tiranës kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare duke arritur suksese historike.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pëmes një postimi në rrjete sociale ka përmendur emra të njohur si Luiza Gega, Chermen Valiev, Islam Dudaev, Lara Colturi dhe Matvei Petrov dhe titujt që kanë rrëmbyer për Shqipërinë.

Ai thekson se pas këtyre arritjeve historike qëndron edhe mbështetja institucionale që u është dhënë sportistëve përmes Sport Klub Tiranës.

Postimi i plotë:

Për ne, shqiptarët, nuk ka krenari më të madhe se sa kur shohim flamurin kuqezi të valvitet lart, në arenat më prestigjioze sportive të Europës apo të Botës. Dhe kjo ka ndodhur jo pak herë vitet e fundit, kur sportistët tanë ia kanë dalë në ngjiten në majë, me suksese që tashmë kanë hyrë në histori.

Luiza Gega u shpall Kampione e Europës në Atletikë në vitin 2022. Chermen Valiev dhe Islam Dudaev i dhanë Shqipërisë dy medalje olimpike bronzi në Paris 2024. Pak muaj më parë, Lara Colturi zuri vendin e nënkampiones në ski në kupën e botës në Austri. Matvei Petrov fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës në 2020. E plot sportistë të tjerë kanë shënuar rezultate të mëdha për vendin, falë punës së tyre, përkushtimit dhe vendosmërisë për të dhënë gjithmonë maksimumin, duke u bërë shembull edhe për sportistët e rinj.

Por, e dini çfarë kanë të përbashkët ata? Sport Klub Tiranën. Kur morëm detyrën, vendosëm të ndihmonim çdo sportist të talentuar, qoftë duke u krijuar kushtet e nevojshme për t’u stërvitur, qoftë duke i shpërblyer si kampionë. Qyteti tha: Kush sjell një medalje apo një titull, do të shpërblehet për mundin dhe suksesin që i ka dhënë vendit.

Kështu nisëm edhe praktikën e mirë të dhënies së premios edhe për ekipet kryeqytetase që fituan Kampionatin Kombëtar të Futbollit, si Tirana dhe Partizani.Jam i bindur se sportistët tanë i presin të tjera triumfe dhe flamuri shqiptar do të ngrihet sërish lart.

Top Channel