“Kam ardhur me ide të qarta”, Igli Tare për median milaneze: Milanit i duhen rezultatet, duhen fitore! Do bëj gjithçka që të përsërisim lavdinë e dikurshme

28/05/2025 10:58

Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë një intervistë për Milan TV, ku ka theksuar se idetë e tij në drejtimin e klubit sportiv janë të qarta.

Në intervistën e parë si drejtor i AC Milan, Tare premtoi se do të bëjë më të mirën për futbollistët dhe për të gjithë stafin teknik të skuadrës.

“Kam ardhur me ide të qarta. Jam shumë entuziast dhe dua ta reflektoj këtë gjë këtu. Dua të jem një shembull jo vetëm për futbollistët, por edhe për stafin teknik dhe po ashtu të bëj më të mirën time edhe në merkato. Futbollistët që vijnë te AC Milan duhet të kuptojnë që të veshësh këtë bluzë është një përgjegjësi e madhe. Gjithçka ndikon në rezultatin final, që përfshin atë që ndodh në fushë dhe vetë rezultatin në fund të ndeshjes”.

Ai kujtoi të kaluarën e lavdishme të Milanit, që tha se e ka ndjekur që i vogël, ndërsa foli për lidhjen e veçantë me skuadrën. Synimi është të rikthejë Milanin e dikurshëm që korr fitore dhe sjell rezultate të mira.

“Milan ka një histori të lavdishme. E njoh dhe e kam ndjekur që fëmijë. Më kujtohet koha e Ray Wilkins dher Mark Hateley. I mbaj mend shumë qartë ato vite, sepse në familjen tim kam fansa të mëdhenj të AC Milan. Të gjithë xhaxhallarët e mi janë milanistë. Kështu që ka qenë gjithmonë një lidhje e fortë. Të jem këtu sot dhe të flas për klubin që kam mbështetur që fëmijë, do të thotë shumë. Ndeshja ime e parë në Serinë A ishte Breshia vs AC Milan. Djali im i parë lindi gjatë ndeshjes AC Milan – Bolonja në 13 shtator 2003. Do të përpiqem të bëj gjithçka që ne të përsërisim në të ardhmen lavdinë e dikurshme, sepse ky klub ka një histori mbreslënëse”.

Ai foli edhe sfidat, sikurse është zgjedhja e trajnerit, ndërsa tha se së shpejti do të prezantojë projektin e tij.

“Duhet të prezantojmë projektin tonë sa më shpejt, veçanërisht te tifozët që presin një reagim të fortë dhe në fakt, këtë duam edhe ne. Milanit i duhen rezultatet, duhen fitore dhe unë jam i vetëdijshëm për këtë. Duhet të fillojmë në mënyrën e duhur, ka shumë pritshmëri: ka qenë një sezon shumë i gjatë me shumë zhgënjime. E kam përjetuar këtë edhe nga jashtë. Erdha me ide të qarta, me shumë entuziazëm dhe dua t’ia transmetoj këtë të gjithë ambientit të Milanos sepse është thelbësore të mësosh nga gabimet që janë bërë dhe të përpiqesh të fillosh sot me energji dhe dëshirë për t’u siguruar që Milani të kthehet në atë që kemi parë gjithmonë në historinë e tij”.

Top Channel