Alarm për ndotjen detare! Greqia miraton planin prej 780 milionë eurosh për Egjeun dhe Jonin

28/05/2025 13:13

Pranë ishullit grek të Alonissos në Egjeun lindor, zhytës vullnetarë mbledhin shishe plastike të kalbura, goma makinash dhe zinxhirë të ndryshkur spirancash nga shtrati i detit.

Më pas i vendosin në qese plehrash  për ti larguar ato, si pjesë e një aksioni pastrimi të financuar nga BE-ja për të mbrojtur jetën detare. Sendet e nxjerra nga parajsa ishullore e Sporadeve, një vend i preferuar turistik për ujërat e tij të kaltra  dhe parku detar më i madh i mbrojtur në Evropë, përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të dhjetëra mijëra toneve mbetjesh që ndotin Detin Mesdhe çdo vit.

Parku, i krijuar pranë ishullit në fillim të viteve 1990, është shtëpia e një prej kolonive të fundit të fokave në botë dhe është një strehë për mbi 300 lloje peshqish, delfinësh dhe breshkash deti. Ekzistenca e tij i ka bërë vendasit dhe turistët gjithnjë e më të vetëdijshëm për rreziqet e ndotjes detare. P

Për të mbrojtur biodiversitetin bregdetar, Greqia ka premtuar të krijojë dy parqe të tjera detare në detet Egje dhe Jon, pjesë e 21 iniciativave me vlerë deri në 780 milionë euro. Ajo ka miratuar ligjin për të zgjeruar zonat e mbrojtura detare në 30% të ujërave të saj territoriale deri në vitin 2030 dhe i ka paraqitur BE-së plane që përcaktojnë se si do të organizojë peshkimin, turizmin dhe energjinë në det të hapur. Vetëm vitin e kaluar, në Greqi, nga disa dhjetëra organizata joqeveritare dhe vullnetarë që zbatuan projekte të mëdha pastrimi u nxorën dhe u larguan  më shumë se 100,000 tonë mbetje plastike dhe mbeturina të tjera nga deti në disa zona bregdetare të saj në detin Egje dhe detin Jon.

Νë vitin 2024 vendi zuri vendin e parë në Europë dhe të dytin në botë, me gati 600 plazhe me flamurin blu, simboli ndërkombëtar i cilësisë që jepet për plazhet dhe marinat të cilat plotësojnë kritere të rrepta në fushat si cilësia e ujërave, siguria, infrastruktura dhe edukimi mjedisor.

 

 

Top Channel