
Turi i 82-të çiklistik i Shqipërisë mbajti etapën e dytë të tij Shkodër – Elbasan, e gjatë 188 km.
Një etapë interesante me duele mes sportistëve, por në fund fitues u shpall Niels Reemeijer i skuadrës nga Amsterdami. Holandezi, njëkohësisht ia doli që të rrëmbejë edhe fanellën e verdhë, që nënkupton edhe kryesuesin e këtij turi pas zhvillimit të dy etapave të para.
Në tërësi gara u zhvillua pa probleme, ndërsa munguan shkëputjet e sportistëve të veçantë. Emocionet për garën e sotme i rrëfen vetë çiklisti holandez, i cili shpreh ambicien për të qenë fitues deri në fund.
“Më pëlqen ky tur. Fitorja është e mundur. Është e vështirë, por jo e pamundur. Malet janë të larta, por jo shumë të larta. Shpresoj të vesh fanellën e verdhë deri të premten. Në garat në Shqipëri kam marrë pjesë edhe vitin e kaluar, por kjo është fitorja ime e parë ndaj është një ditë shumë e bukur. Është fitorja ime e parë është shumë bukur”, u shpreh çiklisti holandez, që mori edhe kreun e klasifikimit me triumfin në etapën e dytë.
Sakaq, Gabriele de Fabriti i Nacional Team Albania arriti të rrëmbejë fanellën e gjelbër dhe të bardhë, si sportisti më i mirë i ri i këtij turi.
Ditën e nesërme, turi i 82-të i Shqipërisë do të vijojë me etapën e tretë Elbasan – Vlorë, e gjatë 149 km.
Top Channel