
Cristiano Ronaldo ka ndezur spekulimet për largimin nga Al Nassr pas një postimi enigmatik në rrjetet sociale, duke sinjalizuar përfundimin e aventurës së tij në Ligën Profesionale Saudite.
“Ky kapitull ka mbaruar. Historia? Ende duke u shkruar. Mirënjohës të gjithëve,” shkroi sulmuesi 40-vjeçar në një mesazh në Instagram, duke lënë të kuptohet se koha e tij me skuadrën nga Riadi mund të ketë marrë fund.
Kontrata e Ronaldos me Al Nassr, e cila kap vlerën e 164 milionë funtesh në vit, pritet të skadojë këtë verë. Që prej ardhjes në janar 2023, ai ka zhvilluar 105 ndeshje dhe ka realizuar 93 gola për ekipin, por pa arritur të fitojë titullin kampion. Trofeu i tij i vetëm në Lindjen e Mesme mbetet Kupa e Kampionëve të Klubeve Arabe.
Pavarësisht kësaj, Ronaldo përfundoi sezonin aktual si golashënuesi më i mirë i ligës për të dytin vit radhazi, me 25 gola, ndërsa Al Nassr u rendit në vendin e tretë në tabelë.
Transferimi i radhës? Ronaldo në radarin e klubeve për Kupën e Botës për Klube
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se Ronaldo është në bisedime me një klub që do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, turne i cili do të nisë më 14 qershor në Shtetet e Bashkuara.
“Ronaldo mund të luajë edhe për njërën nga ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube,” tha Infantino, duke shtuar: “Ka diskutime me disa klube… kush e di?”
Ronaldo është lidhur me një transferim të mundshëm te një klub brazilian që do të udhëtojë drejt SHBA për turneun e zgjeruar me 32 ekipe. Palmeiras, Flamengo, Fluminense dhe Botafogo janë katër ekipet nga Brazili që do të marrin pjesë.
Një kalim te Palmeiras mund të vendoste Ronaldon përballë Lionel Messit dhe Inter Miami në Grupin A – një përballje që do të rikthente rivalitetin legjendar mes dy yjeve të futbollit botëror. Edhe një bashkim i forcave mes Ronaldos dhe Messit nuk është përjashtuar, pasi Infantino u përgjigj me një “ndoshta” kur u pyet për këtë skenar.
Top Channel