
Emocione të shumta dhe një përzierje ndjesish po përjetohen në qytetin e Napolit pas fitores së skudetos së katërt në histori.
Festa kulmoi dje me një paradë madhështore në rrugët e qytetit, ku lojtarët dhe stafi u bashkuan me tifozët për të kremtuar suksesin.
Por përveç festës, Napoli po përgatitet edhe për një ndarje të madhe. Sot në mëngjes, presidenti Aurelio De Laurentiis dhe trajneri Antonio Conte do të marrin pjesë në një vizitë simbolike në Vatikan për të takuar Papa Leo XIV, një ngjarje me rëndësi të veçantë për të dy. Pasdite pritet të mbahet takimi përfundimtar mes tyre – një bisedë që do të shënojë fundin e rrugëtimit të Contes në krye të ekipit.
“I uroj Contes suksese në jetën e tij profesionale. Ai është një profesionist i përkushtuar dhe meriton respekt. Faleminderit, Antonio,” – u shpreh De Laurentiis gjatë darkës festive.
Conte drejt largimit, Juve në pritje
Rezultati i takimit të sotëm duket se është i paracaktuar: Conte do të largohet. Sipas burimeve të afërta me klubin, trajneri ka shprehur qartë dëshirën për t’u larguar dhe Juventusi është në pritje për të mirëpritur kthimin e tij.
Edhe pse De Laurentiis do të përpiqet ta bindë të qëndrojë, lojtarët dhe stafi janë të vetëdijshëm për vendimin e trajnerit. Marrëdhëniet mes palëve mbeten të mira dhe ndarja do të ndodhë në paqe, ndryshe nga ajo e tensionuar me Spallettin vitin e kaluar.
Nuk pritet as ndonjë kompensim financiar, pasi Conte është i vendosur të lirohet dhe klubi nuk do ta pengojë. “Nuk detyroj askënd. Ata që nuk ndihen rehat duhet të ndërrojnë ajër,” deklaroi një zyrtar i Napolit.
Allegri në horizont
Me largimin e Contes të pashmangshëm, Napoli ka kthyer vëmendjen drejt Massimiliano Allegrit, ish-trajnerit të Juventusit, i cili prej kohësh është vlerësuar nga De Laurentiis. Presidenti kërkon një emër të sigurt dhe nuk dëshiron të përsërisë gabimin me Rudi Garcia, që pasoi largimin e Spallettit.
Për Allegrin është përgatitur një kontratë dyvjeçare me vlerë 6 milionë euro në vit plus bonuse, me një mundësi rinovimi të njëanshëm për një vit të tretë.
Top Channel