
Tekniku brazilian Sylvinho ka theksuar rëndësinë e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të luhet të shtunën e 7 qershorit në Arenën Kombëtare.
Trajneri i Kombëtares shprehet se kërkon nga lojtarët që të japin shpirtin në këtë takim, teksa sa i përket llogarive për kualifikimin në Botëror, ato do të bëhen në tetor ose nëntor.
“E theksoj dhe njëherë që 27 lojtarët që kam janë shumë të rëndësishëm. Janë 7 ditë radhazi që duhet të përgatitemi. I njohim kundërshtarët. Edhe ata duhet të na kenë studiuar ne. Sigurisht që mund të ketë ndryshime.
Janë dy ndeshje të forta, të vështira dhe fizike. I kemi parë ndeshjet që kanë luajtur. Me kemi pasur një vit që luajmë me kundërshtarë të vështirë. Janë kundërshtarë të fortë. Kanë lojtarë të gjatë. Do të harxhojmë shumë energji duke luajtur me ta. Por ne kemi mundësitë tona. Ata (Serbia) janë kundërshtar i fortë sepse e nisin lojën shumë mirë, por ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të mundohemi të marrim më të mirën.
Jam i sigurt që do të duhet të punojmë dhe mbi këtë element, sepse thashë që është një ndeshje speciale. Kjo vlen për të dyja ndeshjet. Do të fokusohemi që ditën e parë në këtë element. Por për mua janë të rëndësishëm 27 lojtarët, që vijnë për të fituar. E di që në kartë luhet për vendin e dytë, por nuk ka kohë për të humbur. Fusha flet vetë. Kërkoj që lojtarët të japin zemrën dhe shpirtin në fushë për të marrë më të mirën.
Në letër, Anglia është një ekip shumë i fortë. Ka trajner dhe lojtarë të nivelit të lartë. Ne duhet të fokusohemi te loja jonë. Duhet të marrim pikë nga kundërshtarët e radhës. Në tetor ose nëntor mund të kemi një ide se sa shanse mund të kemi”, tha Sylvinho.
Top Channel