Nga një ‘E Kaltër’ te tjetra, Antonio Conte pranë kthimit te kombëtarja italiane pas 10 vitesh, por pengesë është paga
Presidenti Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjatë fjalës në forumin, Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dayton-it dhe integrimin Euroatlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Duke nxjerrë në pah përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në rajon, Presidenti i Republikës theksoi se “Marrëveshja e Paqes e Dayton-it i dha fund një lufte brutale në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës’.
Begaj nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”.
Kreu i Shtetit vlerësoi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se “Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të fortë ndaj vlerave thelbësore të demokracisë, duke promovuar paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”.
Presidenti Republikës vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s.
Përballë sfidave të reja më të cilat përballet Ballkani pas luftës në Ukrainë, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkëpunim mes aleatëve për transformimin e tyre në mundësi, shpresë dhe unitet.
“Le të riafirmojmë angazhimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës së tij, por qëndron në dritën e të ardhmes së vet. 30 vjet më parë paqja u bë e mundur këtu. Tani është detyra jonë të sigurohemi që ajo të bëhet e përhershme”, – deklaroi Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj.
Top Channel