Kërcënimet e njëpasnjëshme të Trump, BE i kundërpërgjigjet Presidentit amerikan: Marrëveshjet tregtare të bazohen në respekt, jo në tarifa

24/05/2025 07:22

Bashkimi Evropian ka deklaruar se mbetet i përkushtuar për të arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se dialogu duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë dhe jo nga kërcënimet.

Deklarata vjen pas komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi vendosjen e një tarife prej 50% për të gjitha mallrat evropiane të eksportuara në SHBA, nëse negociatat nuk ecin me ritmin që ai pret.

Shefi i Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, tha se BE-ja është “plotësisht e angazhuar për të siguruar një marrëveshje që funksionon për të dyja palët”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë. “Tregtia BE-SHBA është e pakrahasueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti, jo nga kërcënimet. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”, shtoi ai.

Trump, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, kritikoi negociatat aktuale si joefektive, duke paralajmëruar rritjen e tarifave më 1 qershor. Ai tha se nuk kërkon më një marrëveshje, pasi “e kemi vendosur marrëveshjen”, por nuk përjashtoi mundësinë e një vonese nëse ndodh një investim i madh evropian në SHBA.

Bashkimi Evropian është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, me mbi 600 miliardë dollarë në mallra të eksportuara drejt Amerikës vitin e kaluar dhe me importe prej rreth 370 miliardë dollarësh, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.

Zyrtarë të lartë evropianë reaguan menjëherë ndaj kërcënimeve të Trump. Kryeministri irlandez, Micheál Martin, theksoi se negociatat janë rruga e vetme e qëndrueshme përpara, ndërsa Ministri i Jashtëm francez, Laurent Saint-Martin, tha: “Ne po kërkojmë ulje të tensioneve, por jemi të gatshëm të përgjigjemi”.

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, kërkoi një zgjidhje të negociuar, dhe kryeministri holandez Dick Schoof shprehu mbështetjen për strategjinë e BE-së.

Muajin e kaluar, Trump vendosi një tarifë 20% për mallrat evropiane, të cilën më pas e përgjysmoi për të lënë hapësirë për më shumë negociata. Ai ka kritikuar prej kohësh deficitin tregtar me BE-në dhe ka shënjestruar sektorë si automjetet dhe bujqësia si pjesë të pabarazisë.

Trump kërcënoi gjithashtu Apple me një tarifë importi prej të paktën 25% për iPhone-t që prodhohen jashtë SHBA-së, duke zgjeruar kështu luftën tregtare edhe në teknologji.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, tregjet financiare reaguan negativisht. Indeksi S&P 500 në SHBA ra me 0.7%, ndërsa tregjet kryesore evropiane si Dax në Gjermani dhe Cac 40 në Francë humbën mbi 1.5% të vlerës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta