
Napoli është kampion i Italisë për të katërtën herë në histori, kjo falë një fitoreje 2-0 në javën e fundit të kampionatit përballë Cagliarit, duke lënë pas me vetëm një pikë Interin, që paralelisht mundi Comon në transfertë 0-2.
Sfida e luajtur në “Diego Armando Maradona” nisi fuqishëm nga ana e vendasve, të cilët provuan në disa raste në pjesën e parë, por u ndalën nga portieri i Kombëtares shqiptare, Alen Sherri. Gjithsesi, ish-gardiani i Egnatias nuk mund të bënte asgjë në minutën e 42’, kur McTominay realizoi një supergol.
Edhe pse nuk luante për asgjë, Cagliari u përpoq të merrte barazimin, por një kundërsulm i nisur nga Rrahmani, u shndërrua në gol nga ana e Lukakut në minutën e 51’, duke vulosur çdo gjë.
Në sfidën tjetër paralele, Interi bëri detyrën, duke fituar 0-2 kundër Comos falë golave të De Vrij në minutën e 20’ dhe Correas në të 51’, por asgjë nuk ishte në dorën e zikaltërve, të cilët shohin të humbasin titullin sërish javën e fundit, njësoj si në vitin 2022 me Milanin.
Kështu Napoli i Contes shpallet kampion i Italisë për herë të katërt në histori dhe i dyti në tre vitet e fundit, ndërsa Interi tani do të fokusohet vetëm në finalen e 31 majit në Mynih, ku do të përballet me PSG-në për titullin e Ligës së Kampionëve.
REZULTATET:
NAPOLI 2-0 CAGLIARI
McTominay 42’, Lukaku 51’
COMO 0-2 INTER
De Vrij 20’, Correa 51’
RENDITJA:
NAPOLI —— 82 Pikë
INTER —— 81 Pikë
Top Channel