
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar Igli Taren për emërimin e tij si Drejtor Sportiv i klubit italian të Milanit.
Duka e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar dhe një sfidë të re për Taren në një nga klubet më legjendare të Evropës.
Më tej ai shprehet i bindur se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni i Tares do ta ndihmojnë Milanin të rikthehet në nivelet më të larta, duke kujtuar sukseset e tij të mëparshme në ndërtimin e një projekti të qëndrueshëm me Lazion.
“Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit, është një arritje vërtetë e rëndësishme.
Besoj fort se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni yt do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij.
Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare.
Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën.”, shkruan Armand Duka në llogarinë e tij në Facebook.
Top Channel