
Armando Broja është një nga emrat që po qarkullon në tryezat e merkatos këtë verë, teksa Newcastle United është në mesin e klubeve që po i ofrohet mundësia për të nënshkruar me sulmuesin e kombëtares shqiptare.
Pas një sezoni të vështirë në huazim te Evertoni, e ardhmja e Brojës mbetet e paqartë, dhe kërkesa prej 30 milionë paund nga Chelsea mund të jetë një pengesë serioze për një transferim të mundshëm.
23-vjeçari ka kaluar një sezon të zymtë në “Goodison Park”, ku për shkak të lëndimeve dhe formës së ulët ka arritur të luajë si titullar në vetëm katër ndeshje të Premier League. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e vazhdimësisë dhe në vlerësimin e tij në treg.
Ndërkohë që Callum Wilson pritet të largohet nga Newcastle në fund të sezonit dhe nuk do t’i ofrohet rinovim kontrate, trajneri Eddie Howe është në kërkim të një alternative për ta mbështetur Alexander Isak në sulm. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk janë të bindur të investojnë një shumë të konsiderueshme për një lojtar që ende nuk ka gjetur stabilitet pas një serie dëmtimesh.
Chelsea është i gatshëm ta largojë Brojën përgjithmonë këtë verë, dhe dëshiron të përfitojë maksimalisht nga kartoni i sulmuesit, por Newcastle nuk shihet si i gatshëm të paguajë 30 milionë paund për të. Nëse nuk arrihet një kompromis për çmimin ose një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje, mundësia që Broja të transferohet në “St. James’ Park” mbetet e vogël.
Pavarësisht gjithçkaje, interesi ndaj Armando Brojës është ende prezent në Premier League dhe ai mbetet një lojtar me potencial të madh, veçanërisht nëse arrin të qëndrojë i shëndetshëm dhe të rigjejë formën që e bëri të spikaste te Southampton në sezonin 2021/2022.
Top Channel