
Avokati i të pandehurit, Redi Molla, Denion Bogdani, pasi ka depozituar një kërkesë për gjykim të shkurtuar. Ai kërkon të mos nisë shqyrtimi gjyqësor nëse më parë nuk jepet një vendim për gjykimin me 1/3.
Njëlloj edhe avokati Ermir Beta e Ardian Leka, kërkojnë shtyrjen e seancës, për po të njëjtin motivacion, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Megjithatë, njëra nga avokatet, Evi Sheri, që përfaqëson Taulant Tushën, në ndryshim nga kolegët e saj, kërkon që seanca të mos shtyhet, ç’ka shkaktoi debat mes tyre.
“Kjo kërkesë nuk ka pse të shërbejë si arsye për t’u shtyrë”, tha Prokurori Klodian Braho.
Avokatja e Taulant Tushës, kërkon veçimin e çështjes për klientin e saj.
“Provat dhe faktet janë te ndryshme për të pandehurit, bashkë me akuzën,-“ thotë ajo.
Me të njëjtën logjike, edhe të pandehurit, Enton Punavija dhe Julian Zanaj dhe Albano Janku, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kërkojnë të gjykohen të ndarë.
Sipas avokatëve, veprat penale për të cilat akuzohen Mariglen Qato dhe Redi Molla (korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash), por edhe Nestor Muhametllari nuk mund të gjykohen në të njëjtin proces, pasi edhe koha e gjykimit është e ndryshme.
Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e mbrojtësve ligjorë.
Avokati i Redi Mollës, Ermir Beta: Është në çmimin e prokurorisë të thërrasë sa dëshmitarë të dojë për të provuar akuzën. Kërkojmë kohë për tu njohur me rëndësinë që ka secili dëshmitar. Më herët prokurori relatoi se do të pyeten 80 dëshmitarë, por sot ka hequr 20 prej tyre.
Prokurori: Nuk janë hequr. Janë në procesin paralel që po zhvillohet. Avokatët kishin kohë mjaftueshëm për tu përgatitur. Kërkojmë që të pezullohen afatet e paraburgimit.
Seanca e radhës, në 5 qershor, ora 10:00.
Top Channel