
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një grua 54-vjeçare ka humbur jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtimin e stomakut në një klinikë private, pranë spitalit të Durrësit. Viktima është Valbona Xha Zejno, banuese në Durrës.
Me akuzën e “neglizhencës në trajtimin mjekësor”, ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj mjekut kirurg, Ilir Shani.
Ai po hetohet lidhur me rrethanat që çuan në humbjen e jetës së pacientes pas operacionit. Sipas legjislacionit penal shqiptar, në rastet kur neglizhenca mjekësore shkakton vdekjen e një personi, parashikohet dënim me burgim deri në 2 vjet.
Denoncimi për rastin në fjalë u bë nga familjarët e viktimës, ndërsa po vijojnë hetimet e prokurorisë së Durrësit për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes.
Top Channel mëson se pacientja kishte dhe probleme kardiake, por nuk dihet nëse kjo është marrë parasysh para futjes së saj në sallën e operacionit.
Top Channel