Video/ Incident i rëndë në MMA, sportisti shqiptar dërgohet menjëherë në spital pas 100 goditjeve të marra në arenë

18/05/2025 17:24

Një përballje dramatike në arenën e arteve marciale mikse (MMA) në “MBW Park”, Mynih të Gjermanisë, u shoqërua me një incident të rëndë ku sportisti shqiptar Arijan Topallaj humbi ndjenjat gjatë ndeshjes me irlandezin Denis Frimpong.

Frimpong dominoi sfidën dhe arriti ta mbyllë me një nokaut teknik në raundin e tretë, në sekondën e 44-të. Sipas statistikave zyrtare, Topallaj mori rreth 100 goditje, ndërsa dha vetëm 53, duke u dorëzuar për shkak të lodhjes dhe presionit të vazhdueshëm.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentin e rëndë kur Topallaj u nxor nga kafazi me barelë dhe u dërgua menjëherë në spital.

Fatmirësisht, sipas burimeve pranë organizatorëve, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është jashtë rrezikut për jetën.

Më pas Topallaj bëri dhe një reagim në rrjetet sociale, duke shkruar: “Falënderimi i qoftë Allahut për gjithçka. Çfarë sporti i çmendur që bëj, por e dua këtë gjë me gjithë shpirt. Edhe pse mbrëmja nuk shkoi siç ishte planifikuar, një gjë mund ta them me zemër të pastër: E lashë gjithçka në kafaz. Që nga raundi i dytë, trupi im nuk më dëgjoi më. U thye fizikisht. Nuk e di në fund të ditës pse ndodhi kjo, por një gjë e di: Kam dhënë gjithçka në përgatitje dhe në luftë. Ndonjëherë është thjesht e pashpjegueshme – pse, për çfarë, nga se. Por Zoti ka plane më të mëdha sesa mund t’i kuptojmë ndonjëherë. Faleminderit ekipit tim, vëllezërve të mi, familjes sime dhe secilit prej jush që qëndroni pas meje. Keni qenë aty që nga fillimi dhe vazhdoni të jeni, pavarësisht gjithçkaje. Për këtë nuk kam fjalë, vetëm mirënjohje. Koha jonë do të vijë. Inshallah. Si do të vazhdojë më tej? Nuk e di ende. Kjo do të shihet në javët në vijim. Shihemi së shpejti, vetëm dashuri për të gjithë. Faleminderit nga zemra”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta