
Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë, kryeministri Keir Starmer theksoi se gjatë qeverisjes së tij është shumëfishuar numri emigrantëve ilegal të dëbuar.
Po ashtu ai tha se të gjithë ata që janë dëbuar dhe rikthehen duke shkelur urdhrin e dëbimit do të përballen me ligjin.
Njëri prej tyre sipas gazetës Mail on Sunday të cilës i referohet Top Channel, është Alket Dauti i dënuar me 8 muaj burg javën e shkuar pasi hyri ilegalisht në Angli duke thyer urdhrin e dëbimit.
Hyrja ilegale e Dautit u zbulua nga gazetarët britanik pasi shqiptari dikur mbret i trafikut të shqiptarëve me kamionë nga Belgjika, publikoi foto duke vozitur një makinë rrugëve të Londrës.
Alket Dauti ishte ekstraduar nga Anglia në Belgjikë pasi ishte dënuar për trafik të qenieve njerëzore.
Në grupin kriminal që drejtonte ai njihej me pseudonimin “mjekra”.
Në përfundim të dënimit ai u dëbua nga Belgjika në Shqipëri por u rikthye përsëri ilegalisht në Londër ku kishte edhe familjen.
Alket Dauti pranoi akuzat për hyrje ilegale në Angli.
Ai përmes video nga burgu Thameside dëgjoi komentet e gjykatësit i cili i tha se “kam lexuar letrën shumë prekëse nga bashkëshortja juaj. Fatkeqësisht nuk mund ta injoroj faktin që ju u futën në Britaninë e Madhe ilegalisht”.
Sipas Mail on Sunday të cilës i referohet Top Channel, pak përpara mbarimit të dënimit me 8 muaj burg, Alket Dauti do të vizitohet nga oficeret e Ministrisë së Punëve të Brendshme Home Office për të parë nëse ai mund të aplikojë për të qëndruar në Angli ku ka edhe familjen.
Nëse nuk plotëson kriteret ligjore të emigracionit ai do të dëbohet përmes fluturimeve të përjavshme të Home Office, Londër-Tiranë.
Top Channel