
“Me 26 shtete finaliste dhe një maratonë televizive 4-orëshe, Eurovision-i është absurd, emocionues, pa ndalesë dhe, këtë vit më shumë se kurrë, tepër… sensual”-kështu e përshkruan CNN festivalin europian të këngës.
“Është një vit shumë i zjarrtë,” thotë fituesi i vitit të kaluar, Nemo, që rikthehet këtë herë si analist dhe fans i pasionuar. “Dhe kjo është fantastike për të gjithë artistët.”
CNN ka renditur çdo kënge finaliste, nga më e dobëta te më e mira, ku Shqipëria surprizon në vend të parë.
26. Armenia – PARG, “Survivor”
Një mashkull i bukur që vrapon pa bluzë mbi një pistë, në ngjyra ose dramatike në të bardhë dhe të zezë, me një këngë që të bën të ndihesh si në një reklamë proteine. Estetika? Si ta kishte stiluar Inteligjenca Artificiale.
25. San Marino – Gabry Ponte, “Tutta L’Italia”
Autori i hitit “Blue (Da Ba Dee)” nga Eiffel 65 është kthyer me një këngë ku përmenden makarona, verë dhe Mona Lizën. Kaq. Dhe jo, nuk është meme – është realitet.
24. Mbretëria e Bashkuar – Remember Monday, “What The Hell Just Happened?”
Vajzat dinë të këndojnë, por kënga është si mbetje e një feste të vitit 2013.
23. Portugalia – Napa, “Deslocado”
E butë, relaksuese, por totalisht e harrueshme. Një këngë për në Spotify, jo për në skenën e Eurovision-it.
22. Lituania – Katarsis, “Tavo Akys”
Shumë emocione, por pak festë. Si të jesh bllokuar në një bisedë me dikë që flet vetëm për dhimbjen e brendshme dhe nuk të lë të largohesh.
21. Gjermania – Abor & Tynna, “Baller”
Kënga është surprizë ritmike, por vargjet janë krim më vete.
20. Izraeli – Yuval Raphael, “New Day Will Rise”
Një baladë e mbushur me ngarkesë emocionale dhe politike. Kënga, si muzikë mbetet më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.
19. Spanja – Melody, “Esa Diva”
Shfaqje dramatike, por kënga është një përzierje e zhurmshme që nuk bind as jurinë, as publikun.
18. Islanda – VÆB, “Róa”
Energjike në kufijtë e lodhjes. I vetmi funksion i tyre: të zgjojnë publikun në mes të baladave të shumta.
17. Norvegjia – Kyle Alessandro, “Lighter”
I ri, energjik, por tekstet janë sikur të jenë përkthyer nga Google Translate nga anglishtja… në anglisht.
16. Polonia – Justyna Steczkowska, “GAJA”
Një kthim pas 30 vitesh, me lëvizje dramatike dhe violinë. Por zëri është pak shumë… operistik për shijet e sotme.
15. Letonia – Tautumeitas, “Bur Man Laimi”
Një grup etno-pop që sjell kulturë dhe gjuhë autentike në skenë. Nuk është për të gjithë, por është 100% Eurovision.
14. Greqia – Klavdia, “Asteromáta”
Baladë prekëse për humbjen dhe emigrimin.
13. Holanda – Claude, “C’est La Vie”
Një përzierje e ëmbël anglisht-frëngjisht që kërkon të fitojë zemrat e jurisë. E kënduar shkëlqyeshëm.
12. Ukraina – Ziferblat, “Bird of Pray”
Një mishërim i gjithçkaje që është Eurovision: guxim dhe befasi. Jo për të gjithë, por absolutisht origjinal.
11. Estonia – Tommy Cash, “Espresso Macchiato”
Një karikaturë absurde e kulturës italiane të kafesë. Ju nuk doni ta pëlqeni këtë këngë – por do ta bëni.
10. Malta – Miriana Conte, “Serving”
Vajza dominon skenën me vetëbesim dhe zë të fortë. Pak e tejkaluar, por funksionon.
9. Danimarka – Sissal, “Hallucination”
Pas pesë vitesh mungesë, Danimarka rikthehet me një baladë magjepsëse. Shumë më mirë live sesa në studio.
8. Suedia – KAJ, “Bara Bada Bastu”
“Do bëjmë sauna, sauna, do djersisim,” thonë këta tre finlandezë që përfaqësojnë Suedinë. Është qesharake, por e paharrueshme.
7. Luksemburgu – Laura Thorn, “La Poupée Monte Le Son”
Një kundërpërgjigje feministike ndaj një fitueseje të vitit 1965. Klasike, argëtuese dhe inteligjente.
6. Italia – Lucio Corsi, “Volevo Essere Un Duro”
Një këngë e ndjerë mbi identitetin dhe burrërinë. Shumë e bukur dhe ende e nënvlerësuar.
5. Franca – Louane, “Maman”
Një baladë personale për nënën e ndjerë të Louane. E sinqertë, e thjeshtë dhe tepër prekëse.
4. Zvicra – Zoë Më, “Voyage”
Delikate dhe e bukur, kjo këngë do të qëndrojë gjatë në kujtesën e publikut, edhe pse nuk pritet të fitojë dy herë radhazi.
3. Finlanda – Erika Vikman, “Ich Komme”
Një himn feminist dhe seksual që nuk ka turp nga asgjë. Mikrofonë gjigantë me flakë dhe tekst që e thotë troç.
2. Austria – JJ, “Wasted Love”
Zë brilant dhe emocione të forta, por… ngjan shumë me këngën fituese të vitit të kaluar. Rrezikon penalizim për ngjashmëri.
1. Shqipëria – Shkodra Elektronike, “Zjerm”
Një duet që nuk e pëlqen Eurovision-in – dhe pikërisht për këtë, ndoshta do ta fitojë. Zjarr, absurditet dhe stil alternativ që nuk fal. Fansat e duan. Dhe me të drejtë.
Top Channel