Futbolli në zi! Ndahet nga jeta ish-sulmuesi i njohur afrikan, autori i golit të famshëm kundër Anglisë

16/05/2025 16:35

Ish-futbollisti i njohur kamerunas Emmanuel Kundé ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga Federata Kamerunase e Futbollit, e cila e cilësoi ndarjen e tij nga jeta si “një humbje e madhe për futbollin kamerunas”.

Kundé mbetet në kujtesën e tifozëve anembanë botës për golin e shënuar ndaj Anglisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1990 në Itali, një ndeshje që përfundoi 3-2 në favor të anglezëve pas kohës shtesë.

Ndër momentet më të lavdishme të karrierës së tij është edhe goli vendimtar në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës në vitin 1988 ndaj Nigerisë, duke i dhënë Kamerunit trofeun kontinental. Ai kishte fituar të njëjtin trofe edhe në vitin 1984 dhe ishte pjesë e skuadrës që mposhti sërish Nigerinë në finalen e atij edicioni.

Në një reagim prekës në Instagram, ish-sulmuesi i Chelseat dhe Interit e përshkroi Kundén si “një figurë ikonike të trashëgimisë sonë futbollistike”. Ai shtoi: “Ai ishte një futbollist fantastik, kulla komanduese në mesfushë dhe muri mbrojtës ku përplaseshin kundërshtarët. Ishte gjithashtu një pasues brilant dhe organizator loje me një forcë fenomenale dhe saktësi të jashtëzakonshme.”

Kundé ishte pjesë e “Luanëve të Pamposhtur” për 15 vite, duke grumbulluar 102 ndeshje dhe shënuar 17 gola me fanellën e përfaqësueses nga viti 1979 deri në 1992. Ai mori pjesë në dy nga epopetë më të mëdha të Kamerunit në Botërorët e viteve 1982 dhe 1990.

Karrierën e tij e nisi te klubi Mbankomo në Kamerun, më pas luajti për Tempête de Nanga-Eboko dhe Canon Yaoundé, përpara se të transferohej në Francë ku u aktivizua me Laval dhe Reims. Pas përfundimit të aventurës në Evropë, u rikthye në Kamerun ku mbylli karrierën si futbollist me skuadrën Olimpique Mvolyé në vitin 1992.

Pas tërheqjes nga futbolli, Kundé vazhdoi të kontribuonte si trajner, përfshirë periudha në Francë dhe Gabon, ndërsa emri i tij do të mbetet gjithmonë i lidhur me klubin e famshëm Canon Sportif de Yaoundé si lojtar dhe trajner.

Futbolli afrikan dhe veçanërisht Kameruni humbi një nga figurat e tij më përfaqësuese. Mendimet dhe lutjet e komunitetit sportiv janë me familjen e tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta