Zyrtare/ Vllaznia gjen zëvendësuesin e Brdaric, kuqeblutë rikthejnë në stol një emër të njohur të futbollit shkodran

15/05/2025 11:39

KF Vllaznia ka zyrtarizuar emërimin e Edi Martinit si trajnerin e ri të skuadrës për sezonin 2025-2026.

Klubi shkodran njoftoi përmes një komunikate për shtyp se ka arritur marrëveshje me njërin prej emrave më të njohur të futbollit shkodran, duke rikthyer kështu Martinin në krye të pankinës kuqeblu.

“Mirë se u riktheve në shtëpi!” – shkruhet në njoftimin e klubit, duke konfirmuar besimin e plotë që drejtuesit kanë tek Martini për të udhëhequr skuadrën në sezonin e ardhshëm.

Ky rikthim vjen në një moment të rëndësishëm për Vllazninë, që synon të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar si një pretendente serioze për tituj dhe suksese.

Martini, i cili ka pasur disa aventura të rëndësishme në stolin e Vllaznisë dhe klube të tjera shqiptare, gëzon një reputacion të lartë në futbollin vendas për punën e tij me skuadra që kërkojnë identitet dhe stabilitet, teksa objektivi i klubit është rikthimi i titullit kampion në Shkodër.

Top Channel