
Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Asencio, është vënë nën hetim penal në Spanjë pas akuzave serioze për shpërndarje të pornografisë me të mitur. Një gjykatë në Gran Canaria ka hapur procedurat penale ndaj 22-vjeçarit, së bashku me tre ish-shokë skuadre nga ekipi i të rinjve të klubit.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, ngjarja lidhet me një video të filmuar në qershor të vitit 2023, ku shfaqen dy vajza – njëra 18 dhe tjetra 16 vjeç – duke kryer marrëdhënie seksuale me tre nga lojtarët. Videoja dyshohet se është regjistruar pa pëlqimin e të miturës dhe më pas është shpërndarë në grupin e WhatsApp-it.
Asencio akuzohet për nxitje të incidentit, si dhe për ndarje të pamjeve intime, ndërkohë që prokuroria është në pritje të konfirmimit zyrtar nga viktimat për të ngritur akuzat përfundimtare. Njëra nga vajzat e përfshira, përmes nënës së saj, ka deklaruar se marrëdhënia ka qenë konsensuale, por regjistrimi i saj ishte pa leje.
Gjykata ka konfirmuar se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat për shkelje të privatësisë; shpërndarje të materialeve intime pa pëlqim; nxitje të të miturve për qëllime pornografike dhe posedim të pornografisë me të mitur.
Sipas Nenit 197 të Kodit Penal të Spanjës, shpërndarja e pamjeve eksplicite të një të mituri mund të dënohet me deri në pesë vite burg, ndërsa regjistrimi pa pëlqim mund të sjellë një dënim më të lehtë prej dy deri në katër vite.
Raul Asencio, i cili këtë sezon ka zhvilluar 22 paraqitje me ekipin e parë të Real Madridit, është thirrur për herë të parë edhe në ekipin kombëtar të Spanjës. Në një deklaratë për RTVE muajin e kaluar, ai tha:
“Jam shumë i qetë. Të gjithë janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë. Është një çështje që do të zgjidhet me kohën.”
Në shkurt, Asencio bëri publike lidhjen e tij me influencuesen spanjolle Selenia Suarez, e cila, sipas mediave, nuk ka asnjë lidhje me rastin penal.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa presioni mbi futbollistin dhe klubin mbetet i lartë.
Top Channel