“Je babai i fëmijës tim”/ Tentuan t’i merrnin miliona, arrestohet çifti që shantazhoi yllin e Premier League

15/05/2025 10:57

Futbollisti i njohur korean dhe kapiteni i Tottenham Hotspur, Son Heung-min, ka kontaktuar autoritetet në Korenë e Jugut pas një përpjekjeje për shantazh ndaj tij nga një burrë dhe një grua, sipas raportimeve nga agjencia koreane Yonhap News.

Sipas mediave lokale, një grua në të 20-at e saj u arrestua nga policia në Seul me dyshimin për zhvatje, ndërsa një burrë u ndalua për përfshirje në të njëjtën skemë. Çifti dyshohet se i ishte afruar Sonit duke i kërkuar një shumë të konsiderueshme parash – disa qindra milionë uonë koreanë – në këmbim të heshtjes së tyre.

Gruaja pretendohet se i kishte thënë Sonit se ishte shtatzënë me fëmijën e tij që nga qershori i vitit të kaluar, një akuzë që çoi në veprime të menjëhershme nga ana e ekipit të tij ligjor dhe më pas në kontaktimin e policisë nga vetë lojtari.

Son, 32 vjeç, nuk është i martuar dhe nuk ka fëmijë. Ai bëri kallëzim pranë policisë javën e kaluar, pas tentativës për shantazh nga dyshja.

Në të kaluarën, Son është përfolur për lidhje romantike me yjet koreanë të muzikës pop Bang Min-ah dhe Yoo So-young, por vetë ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të martohet apo të krijojë familje për sa kohë që është ende aktiv në futbollin profesionist.

Në një intervistë të vitit 2019, Son kishte thënë: “Kur të martohesh, numri një do të jetë familja, gruaja dhe fëmijët, dhe pastaj futbolli. Dua të sigurohem që, ndërsa luaj në nivelin më të lartë, futbolli të jetë prioritet. Kur të dalësh në pension, mund të jetosh një jetë të gjatë me familjen.”

Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa autoritetet koreane nuk kanë dhënë ende detaje të plota për akuzat e ngritura ndaj dy personave të ndaluar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta