
Egnatia është kampione e Shqipërisë për herë të dytë radhazi, duke ruajtur “kurorën” në Superiore, pas një fitore dominuese me Vllazninë në finalen e Superiores.
Sfida e luajtur në “Arenën Kombëtare”, e cila u gjykua dhe nga arbitri i FIFA-s, Szymon Marciniak, u dominua nga rrogozhinasit, të cilët e nisën takimin me një gol shumë të shpejt nga ana e Regi Lushkjës në minutën e 6’.
Shkodranët u përpoqën të reagonin, por me fillimin e pjesës së dytë, ishte sërish Lushkja që dyfishoi shifrat në minutën e 49’.
Rrogozhinasit arritën ta ruanin mirë rezultatin dhe madje në minutën e 83’, ishte Leo Melo, i cili kishte vetëm 7 minuta që ishte aktivizuar, shënoi dhe golin e tretë të “KO”, teksa për të plotësuar pokerin mendoi në frymën e fundit Ujka.
Kështu Egnatia është kampione e Shqipërisë për herë të dytë, pas një sezoni fantastik, ku pasi ruajti vendin e parë në renditjen e përgjithshme, nuk gaboi as në “Final 4”. Nga ana tjetër, ëndrra 24-vjeçare e Vllaznisë për të rikthyer titullin kampion në Shkodër shuhet.
REZULTATI:
VLLAZNIA 0-4 EGNATIA
Lushkja 6’, 49′, Leo Melo 83′, Ujka 90+4′
Top Channel