
Emocion, mirënjohje dhe fitore: ky ishte përmbledhja e mbrëmjes speciale në “Allianz Arena”, ku Thomas Müller luajti ndeshjen e tij të fundit në shtëpi me fanellën e Bayern Munich.
Legjenda e klubit u përshëndet me një ceremoni të veçantë para fillimit të takimit ndaj Borussia Monchengladbach, teksa mbi 75 mijë tifozë dhuruan një ovacion të gjatë për ikonën bavareze.
Në një atmosferë të mbushur me nostalgji, Bayerni kampion nuk zhgënjeu, duke siguruar një fitore të pastër 2-0 që i shton shkëlqim lamtumirës së Müllerit.
Harry Kane, si zakonisht vendimtar, zhbllokoi rezultatin në minutën e 31-të me një finalizim të saktë brenda zonës. Më pas, në minutën e fundit të ndeshjes, Michael Olise vulosi rezultatin me një gol të bukur, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë mbrëmjen festive.
Ceremonia e lamtumirës për Müllerin përfshiu një video-hommage me momente nga karriera e tij e lavdishme, një fanellë e personalizuar e dhuruar nga klubi dhe një përqafim i ngrohtë nga shokët e skuadrës. 34-vjeçari, i cili ka kaluar gjithë karrierën e tij te Bayerni, është një nga lojtarët më të dekoruar në historinë e klubit, me tituj të shumtë vendas dhe ndërkombëtarë.
Me këtë triumf, Bayerni i jep fund një sezoni dominues në Bundesligë, ndërsa Muller largohet nga “Allianz Arena” ashtu siç ka jetuar për vite me radhë – në këmbët e suksesit dhe mes duartrokitjeve të pandërprera të tifozëve.
Top Channel