Barazim në minutën e fundit, Lazio ndal Juventusin në shtëpi dhe “asiston” rivalin e përjetshëm për garën në Champions

10/05/2025 20:15

Në një përballje direkte për zonën Champions, Lazio dhe Juventus ndanë pikët me rezultat 1-1 në javën e 36-të të Serie A, duke mbetur krah për krah në vendin e katërt me nga 64 pikë.

Ndërkohë, Roma, që luan të hënën në një ndeshje vendimtare ndaj Atalantës në Bergamo, ka tani një shans real për të parakaluar rivalët dhe për të hyrë në katërshen e parë.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e vakët dhe pa shumë raste, por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Në minutën e 51-të, Kolo Muani zhbllokoi rezultatin me një goditje të fuqishme me kokë, duke i dhënë avantazhin Juventusit.

Nëntë minuta më vonë, Kalulu u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli të rëndë ndaj Castellanos, duke e lënë “Zonjën e Vjetër” me 10 lojtarë.

Juventusi u përpoq të mbronte avantazhin, por ndeshja kulmoi me një fund dramatik. Në minutën e 87-të, gjyqtari Massa akordoi një penallti për Lazion ndaj Castellanos, por e anuloi menjëherë pas konfirmimit të pozicionit jashtë loje.

Në minutën e 93-të, Dia goditi shtyllën dhe kur gjithçka dukej se do të përfundonte me fitoren e bardhezinjve, në minutën e 96-të, Matías Vecino reagoi më shpejt pas një pritjeje të Di Gregorios ndaj goditjes me kokë të Castellanos dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke vendosur barazpeshën.

Ky barazim lë gjithçka të hapur në garën për vendet Champions, ndërsa Roma shpreson në një rezultat pozitiv për të marrë një avantazh të çmuar në finishin e sezonit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta