
Pas dy viteve e gjysmë të suksesshme në krye të Bayer Leverkusen, Xabi Alonso ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i skuadrës gjermane.
Vendimi u konfirmua zyrtarisht nga vetë klubi, ndërsa trajneri spanjoll doli në një konferencë për shtyp për të ndarë lajmin me publikun.
“Ka ardhur koha të konfirmoj se këto do të jenë ndeshjet e mia të fundit te Bayer,” tha Alonso, përpara se të shprehte mirënjohjen e tij: “I detyrohem një falënderim të përzemërt klubit, lojtarëve, stafit dhe gjithë punonjësve. Së fundmi, por aspak më pak e rëndësishme, edhe tifozëve fantastikë të Bayer. Suksesi ynë ishte rezultat i një performance të jashtëzakonshme të ekipit.”
Alonso, i cili këtë sezon ka udhëhequr Leverkusen drejt një kampionati historik të pamposhtur në Bundesligë, refuzoi të komentojë mbi të ardhmen e tij: “Nuk është koha për të folur për të ardhmen time.”
Megjithatë, spekulimet janë të shumta dhe drejtimi duket i qartë: Real Madridi. Mediat spanjolle janë të bindura se Alonso do të jetë pasardhësi i Carlo Ancelottit në stolin e “Los Blancos”. I njohur mirë në ambientin madrilen, Alonso ka drejtuar më parë ekipet e të rinjve të klubit në sezonin 2018/19 dhe është një figurë e respektuar në “Santiago Bernabéu”.
Sipas burimeve pranë klubit, presidenti Florentino Perez ka dhënë “OK”-in për emërimin e tij, me shpresën për të nisur një epokë të re me një trajner të ri, por me rrënjë të thella në historinë e klubit. I vetmi dyshim mbetet data e njoftimit zyrtar – disa burime përmendin 25 majin, në përfundim të kampionatit, ndërsa të tjera sugjerojnë një surprizë të mundshme pas El Clasicos së së dielës kundër Barcelonës.
Top Channel