
Pas eliminimit të Barcelonës nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinalen kundër Interit në San Siro, polemikat nuk munguan.
Pasi loja u mbyll, drejtuesit dhe lojtarët e skuadrës katalanase shfrynë ndaj gjyqtarit polak Szymon Marciniak, të cilin e akuzuan për vendime të njëanshme në favor të Interit. Edhe shtypi katalanas i përqafoi menjëherë këto akuza, duke krijuar një klimë të nxehtë mosbesimi.
Në epokën e rrjeteve sociale, ku lajmet shpërndahen me shpejtësi marramendëse dhe shpesh pa verifikim, situata u përshkallëzua me një “intervistë” të supozuar të gjyqtarit Marciniak që qarkulloi gjerësisht në portale arabe dhe spanjolle. Në këto lajme të rreme, Marciniak thuhej se kishte mbrojtur vendimet e tij, duke quajtur “qesharake” komentet e Barcelonës dhe duke thënë se “goli i tretë i Interit ishte i vlefshëm”.
Megjithatë, këto deklarata rezultuan tërësisht të pavërteta. Gazeta prestigjioze polake Przegląd Sportowy Onet njoftoi se Marciniak nuk ka dhënë asnjë intervistë për mediat egjiptiane apo ndonjë tjetër, duke theksuar se një gjyqtar nuk është i lejuar të komentojë vendimet e tij pas ndeshjeve.
Në fund, në vend të analizës sportive dhe vetëkritikës, përplasjet u zhvendosën në terrenin e dezinformimit, duke treguar se në futbollin modern, humbja shpesh shoqërohet më shumë me akuza sesa me reflektim.
Top Channel