Nga një argjentinas te një tjetër, Zanetti beson te suksesi i Lautaros: Mund të fitojë Champions-in dhe Topin e Artë

08/05/2025 13:14

Javier Zanetti, legjenda e Interit dhe aktualisht zëvendëspresident i klubit, ka shprehur ëndrrën e tij për një kalim simbolik të stafetës: nga një kapiten argjentinas te një tjetër, nga dora e tij te ajo e Lautaro Martinez.

Në një intervistë për Radio La Red, pas përballjes epike kundër Barcelonës, Zanetti foli për rrugëtimin e Interit drejt finales së madhe të Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, që do të luhet më 31 maj në Mynih.

“Jam krenar për performancën e Interit,” tha Zanetti. “Midis ndeshjes së parë dhe të dytë me Barçën, skuadra tregoi përkushtim dhe kapërceu shumë vështirësi. Në gjysmëfinale u përballën dy skuadra me stile të qarta dhe sulme të ndryshme.”

Duke folur për finalen, ai shtoi: “PSG? Është një ndeshje 50-50. Edhe ata kanë ardhur me meritë deri këtu. Është një ndeshje e vetme dhe duhet ta luajmë me nivelin që treguam në gjysmëfinale.”

Zanetti vlerësoi edhe punën e trajnerit Simone Inzaghi, duke e cilësuar si një lider të padiskutueshëm: “Ai është lideri absolut i kësaj skuadre. Ka qenë me ne për katër vite dhe e ka bërë ekipin shumë konkurrues. Me të, në tre vite kemi arritur dy finale të Ligës së Kampionëve.”

Por vëmendje të veçantë ai i kushtoi Lautaro Martinez, i cili shihet jo vetëm si kapiten i së ardhmes, por edhe si një pretendent për Topin e Artë.

“Shpresoja që ai të bëhej ai që është sot. Kundër Barcelonës dha gjithçka deri kur u zëvendësua. Ai është thelbësor për Interin dhe kombëtaren. Nuk ka dyshim se ka potencial për të fituar Topin e Artë. Këtu ndihet i vlerësuar dhe i rëndësishëm. Kur ndihesh rehat, kjo ndihmon shumë.”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta