
Prej mëngjesit të sotëm, policia e Shtetit dhe ajo bashkiake kanë nisur spostimin e automjeteve dhe vendosjen e shiritave kufizues në të gjitha rrugët ku është i ndaluar parkimi, në kuadër të planit të masave për zhvillimin e etapës së parë të garës prestigjioze çiklistike “Giro d’Italia 2025”.
Sipas njoftimit të policisë, ndalimi i parkimit do të zbatohet në disa prej akseve kryesore të qytetit, si rruga “Mars 91”, “Taulantia”, bulevardi “Epidamn”, “Rruga e Dëshmorëve”, “Adria”, “Pavarësia” etj. Këto masa hynë në fuqi nga ora 08:00 e datës 8 maj dhe do të zgjasin deri në orën 15:00 të datës 9 maj.
Të premten paradite, në orën 11:00, 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota do të zhvillojnë një xhiro promovuese në qytetin bregdetar, përpara nisjes zyrtare të edicionit 108 të “Giro d’Italia”, që do të startojë në zonën e Plepave.
Për këtë arsye, lëvizja në qytet do të jetë e kufizuar gjatë së të premtes. Qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve do të ndalohet nga ora 11:00 deri në 14:00 në rrugët “Taulantia”, “Anastas Durrsaku” dhe rrugën paralel me portin.
Në të gjitha akset e parashikuara për ndalim parkimi dhe qarkullimi, efektivët e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit kanë vendosur shirit sigurie për të garantuar zhvillimin e sigurt të aktivitetit dhe lëvizjen pa pengesa të çiklistëve.
Etapa e parë e garës do të nisë nga Kilometri 0 në Plepa, për të vijuar më tej në drejtim të Malit të Robit, Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel dhe për të përfunduar në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, rreth orës 17:00.
Giro d’Italia për herë të parë nis nga Shqipëria. Durrësi, qyteti i parë mikpritës i këtij eventi të rëndësishëm sportiv, pritet të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke promovuar turizmin dhe bukuritë e tij përmes sportit.
Top Channel