
Në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit vijon të jetë vendimi i vitit 2021, ndërkohë që kryedemokrati Sali Berisha thotë se mund të udhëtojë drejt SHBA dhe u dënua vendimi i firmosur nga ish sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ndërsa u shpreh se për momentin nuk do të udhëtojë drejt SHBA pasi këto ditë ishte kulmi i fushatës elektorale para zgjedhjeve të 11 majit, ai theksoi se “non grata është konsideruar vendim politik, është dënuar, ky është dënim i atij vendimi. Se është tjetër kur shqyrtohet dhe kjo apo ai qëndrim, por është shpallur; vendime të politizuara të administratës Biden, është paekuivok. Pra është e pashpresë”.
Ende nuk ka një reagim zyrtar të Departamentit të Shteti në lidhje me vendimin.
Blinken në 19 maj 2021 shpalli ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjen e tij non grata “për korrupsion madhor”.
Në një njoftim për shtyp, Blinken deklaroi: “Sot unë po shpall publikisht Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-kryeministër dhe ish-anëtar i Parlamentit për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor.”
Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”
Bashkë me Berishën u shpallën ‘non grata’ bashkëshortja e tij Liri Berisha, i biri, Shkëlzen Berisha dhe vajza e tij, Argita Berisha Malltezi.
Top Channel