Enkileda Çarjan shpallet kampione bote në peshëngritje, thyen tre rekorde europiane! Presidenti Begaj: Krenar për arritjet e saj

04/05/2025 12:59

Peshëngritësja shqiptare Enkileda Çarjan ka shkëlqyer në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rinj, duke u shpallur Kampione Bote e trefishtë dhe duke thyer tre rekorde evropiane për grupmoshën U20.

Në garën e zhvilluar në Lima të Perusë, 17-vjeçarja arriti të dominosë në stilin e shkëputjes, shtytjes dhe në total, duke siguruar tre medalje ari për të rinjtë deri në 17 vjeç.

Por suksesi i saj nuk u ndal këtu — Çarjan mori gjithashtu medaljen e bronztë në renditjen e përgjithshme për kategorinë U20, duke sfiduar peshëngritëse më të mëdha në moshë.

Ky rezultat historik shënon një tjetër arritje madhore për sportin shqiptar, ndërsa emri i Enkileda Çarjan tashmë është futur në librin e rekordeve evropiane për të reja, pas paraqitjes spektakolare në platformën botërore.

Kjo arritje u komplimentua dhe nga presidenti Bajram Begaj, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan: “Shumë urime për Enkileda Çarjan, e cila u shpall Kampione Bote e trefishtë në Botërorin e Peshëngritjes, theu 3 rekorde evropiane për të reja, si dhe arriti të marrë medalje bronzi për U20!

Krenarë për arritjet e Enkiledës dhe punën e përkushtuar të trajneres së saj, Eglantina Kalemi!”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta