
Pak pasi presidenti rus Vladimir Putin refuzoi kategorikisht çdo propozim që nuk përfshin kontrollin e plotë të Moskës mbi të gjitha territoret në rajonet strategjike të Zaporizhzhias, Khersonit dhe Donbasit – përfshirë ato që ende ndodhen nën kontrollin e ushtrisë ukrainase, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ka ardhur momenti që Rusia dhe Ukraina të paraqesin propozime konkrete për përfundimin e luftës.
Në të kundërt, po nuk pati avancim në negociata, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga roli i ndërmjetësuesit.
“Jemi në një pikë kritike ku të dyja palët duhet të propozojnë mënyra të qarta për t’i dhënë fund këtij konflikti. Vazhdimi i përfshirjes amerikane si ndërmjetësuese varet nga vendimi i Presidentit, por nëse nuk ka përparim të dukshëm, ne do të largohemi nga procesi”, shprehet Marco Rubio.
Kremlini nuk e pranoi kërkesën e kreut të shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky për një armëpushim 30-ditor, e ka vazhduar t`i qëndrojë idesë së një pauze ushtarake vetëm për tre ditët e festimeve të Ditës së Fitores mbi nazizmin nga data 8 deri në 10 maj. Të hënë, shefi i diplomacisë amerikane telefonoi homologun e tij Sergei Lavrov për t`i treguar se është “koha t`i jepet fund kësaj lufte të pakuptimtë”.
Rubio e ka bërë të qartë se këto ditë do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse SHBA do të vazhdojë përfshirjen e saj në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë apo do të zgjedhë t`i braktisë bisedimet e paqes.
Top Channel