Inside Story/ Ende asnjë material në KQZ për lobimin 6 mln USD, ja reagimi i parë i kompanisë amerikane

30/04/2025 22:20

Një postulat i njerëzve që ndjekin rrugën e antiligjit thotë: “Çfarë nuk blihet me para, blihet me shumë para.”

Dekadën e fundit, politika shqiptare po përdor lobimin pranë administratave të presidentëve amerikanë përmes kontratave të majme me kompani përtej oqeanit. Shpesh, këto financime kanë pasur burime të dyshimta.

Në përpjekje për të rifituar legjitimitetin ndërkombëtar, Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi me kompaninë Continental Strategy në SHBA. Sali Berisha, kreu i opozitës, lobon nëpër korridoret e Uashingtonit për të hequr “non gratën” e vendosur nga administrata e demokratëve.

Më 4 prill 2025, sekretari i PD, Flamur Noka dhe ish-këshilltari i Trump, Carlos Trujillo, firmosën me Continental Strategy një kontratë 24-mujore me vlerë 250,000 USD në muaj, 6 milionë USD në total. Kontrata më e majme e nënshkruar ndonjëherë nga partitë shqiptare. Garant është shqiptaro-amerikani Nuredin Seçi. Ky i fundit nuk rezulton të jetë pronar i ndonjë biznesi për të justifikuar një shumë kaq të madhe. Ai është themelues i fondacionit jofitimprurës “Make Albania Great Again”, krijuar vetëm pak ditë përpara nënshkrimit të kontratës.

Lidhur me financimin e fushatës zgjedhore, përmban çdo raport financiar zgjedhor, dhe përmban të gjitha shpenzimet e kryera nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët, sepse ekzistojnë dy lloje raportesh: nga data e dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit të Republikës, deri në datën që do të kryhen shpenzime në kuadër të fushatës zgjedhore.

KQZ nuk ka ende në dorë asnjë të dhënë lidhur me financimin në fjalë që, sipas selisë blu, vjen nga donacionet e shqiptarëve në SHBA përmes fondacionit të themeluar nga Nuredin Seçi. Pavarësisht se kontrata është nënshkruar në fillim të fushatës, ajo është një shërbim që shtrihet në kohë dhe nuk lidhet detyrimisht me këtë proces. Kjo do të thotë se analiza rreth këtij shpenzimi mund të mësohet vetëm në mars të vitit 2026, kur edhe dorëzohet raporti vjetor i partisë. Ndryshon puna për kontratën e strategut të fushatës Cris LaCivita, i cili do të duhet të jetë transparent maksimalisht 60 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Garantori i kontratës së majme të lobimit, ish-alpinisti Nuredin Seçi, u nderua tre vite më parë me titullin “Nderi i Bashkisë Tropojë” për kontributin e tij në zhvillimin e sportit. Një vlerësim që i erdhi nga një administratë lokale e drejtuar nga socialisti Rexh Byberi, edhe ai dikur, zyrtar i Partisë Demokratike.

Edhe pse vetë Seçi rezulton të mos jetë pronar i ndonjë biznesi, djali i tij administron një kompani në fushën e ndërtimit në SHBA. Gjithashtu, në vendin tonë ka themeluar një fondacion për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve autikë. Një nga qendrat ndodhet në Tropojë, ndërsa tjetra në Tepelenë.

“Shumë elementë të tjerë, që janë thelbësorë për integritetin zgjedhor, ne i shikojmë të jenë aty, ose të jenë kamufluar, të kenë ndryshuar karakter, por vijojnë të jenë. Kush janë këto? Shqetësim mbetet financimi i partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Pas dorëzimit të raporteve financiare të zhvillimit të fushatës zgjedhore nga ana e KQZ, do të nisë procesi i auditimit, përzgjedhja e audituesve ligjorë, dhe procesi i auditimit që do të bazohet në raportet financiare të depozituara”, u shpreh Dritan Taulla, Zv. Kryetar i KRRIK.

Në dokumentet zyrtare të kontratës me “Continental Strategy” parashikohet lobim intensiv, shpërndarje materiali propagandistik dhe kontakte të drejtpërdrejta me vendimmarrësit amerikanë. Ne i jemi drejtuar përmes faqes zyrtare kompanisë në fjalë me disa pyetje që lidhen me financimin e kontratës, burimet e financimit nga klienti dhe filtrat që ka kaluar. Kompania reagoi se do të japë një sqarim, por deri në publikimin e dokumentarit nuk ka ardhur një përgjigje.

Ndërkohë, në Tiranë SPAK është vënë në lëvizje. Prokuroria e Posaçme sqaroi se ka nisur verifikimet mbi ligjshmërinë e burimeve që financojnë këtë shërbim.

“Ne nuk kemi nevojë për një rezyme se sa ka ndryshuar SPAK, por sa kemi mundur ne të shmangim dhe të rregullojmë që mos shkojmë tek ndëshkimi”, u shpreh Agim Baci, analist.

Procesi i verifikimit ndodhet ende në fazën fillestare, ku hetuesit janë duke analizuar shkresa dhe dokumentet e marrëveshjes së lobimit. Thelbi i verifikimit janë burimet financiare. Nëse gjatë këtij hulumtimi, hetuesve të SPAK u lind dyshimi i arsyeshëm për mospërputhje apo mungesë dokumentacioni mbi të ardhurat, nuk përjashtohet mundësia që struktura t’i drejtohet me letërporosi SHBA për të kërkuar informacion më të thelluar.

Kjo fazë hetimore, thonë burimet, do ta përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një financim korrekt apo me një skemë të sofistikuar për fshehjen e të ardhurave.

“Asnjë çift nuk shkon në gjykatë për t’u bashkuar, gjithë shkojnë për t’u ndarë. Edhe nëse shkojmë tek SPAK, tek drejtësia, gjërat janë thyer. Puna është si t’i rregullojmë më përpara, dhe kjo është përgjegjësia e politikës se si t’i rregullojë këto gjëra shumë përpara se të shkojmë tek ndëshkimi”, u shpreh analisti, Agim Baci.

Por historia nuk fshihet me një kontratë lobimi. Në një vend ku ligji sfidohet nga dora që duhet ta mbrojë, dhe ku vota trajtohet si lojë, pyetja mbetet: Si mund të ketë të ardhme një vend që nuk guxon të përballet me të vërtetën e tij?

Ky është momenti që drejtësia të tregojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se vota e qytetarëve duhet të jetë e lirë dhe e paprekur. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një demokraci të vërtetë. Vota është e shenjtë! Aty fillon gjithçka nëse duam të ndërtojmë një demokraci të vërtetë…!

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta